“La La Land”, në krye të nominimeve në “Oscars”

Kandidaturat për edicionin e 89-të “Academy Awards” u shpallën në Los Angeles, me një thyerje të traditës së mëhershme të transmetimeve drejtpërsëdrejti. Këtë radhë ishin vetë fituesit e çmimeve “Oscar” në të shkuarën, ata që shpallën kandidaturat e reja përmes një serie videosh të regjistruara, ku ndanin dhe eksperiencat e tyre si mbajtës të statuetës së shumë lakmuar. “La La Land” mban kryesimin absolut me 14 nominime, duke barazuar kështu rekordet e “Titanikut” dhe të filmit “Çdo gjë për Evën”. Ai rezulton tashmë edhe si muzikali me numrin më të madh të nominimeve, duke ia kaluar dhe “Mari Popins”-it, që pati marrë 13 të tilla. Meryl Streep është kandiduar sërish dhe kjo e bën aktoren më të nominuar në historinë e “Oscar-ëve”. Casey Affleck, Ryan Gosling, Viggo Mortensen dhe Denzel Washington janë ndër kandidatët në kategorinë e “aktorit më të mirë”. Mel Gibson është në mesin e 5 kandidatëve për “regjisorin më të mirë”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve më të mëdha të kinematografisë do të zhvillohet më 26 shkurt, nën drejtimin e moderatorit televiziv Jimmy Kimmel