Lajm i fundit/29 të vdekur e 166 të plagosur nga shpërthimet e së shtunës në Stamboll

Turqia është në zi! Turqia ka provuar përsëri të goditet nga terrori, të goditet nga shpërthimet terroriste!

Stambolli është goditur sërish, e përsëri në zemër të tij! Pas Sulltanahmetit, “Istiklal Caddesi”-së, është goditur një tjetër pikë nevralgjike e metropolit.

Pranë stadiumit “Vodafone Arena” të Beshiktashit, pak pasi kishte mbaruar një ndeshje futbolli, dy shpërthime terroriste u morën jetën dhjetëra personave dhe plagosën qindra të tjerë. E tëra ndodhi në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës, në 22:29, në një zonë me hotele luksoze e me një trafik të jashtëzakonshëm.

Në fillim u raportua vetëm për të plagosur nga ministri i Brendshëm i Turqisë, me bilancin që u bë tragjik ndërsa orët kalonin. Një bilanc i bërë i njohur në orët e para të së dielës. 29 janë më së paku të vrarët nga shpërthimet terroriste; aktet mizore u ndërprenë jetën 27 punonjësve të policisë e dy civilëve. Të plagosurit janë shumë më tepër: së paku 166, gjashtë prej të cilëve në gjendje të rëndë!

Një kamikaz hodhi veten në erë në parkun Maçka, e një tjetër shpërthim ngjau në një rrugë aty pranë. Shpërthimet u kryen në një interval prej 45 sekondash mes tyre; zhurma u dëgjua në shumë pjesë të Stambollit, nga Taksimi në Yskydar. Dhjetë janë të ndaluarit deri tani për sulmet terroriste.

Kryeministri i vendit, Binali Jëlldërëm, shpalli një ditë zie kombëtare, e urdhëroi uljen e flamujve në gjysmështize.

Terroristët e PKK-së, ISIS-it dhe FETÖ-s e vënë në shenjë Turqinë për të njëjtin qëllim, thuhej në deklaratën e shkruar të presidentit Erdogan. Turqia është e vetme në luftën kundër terrorit, lexohej në atë deklaratë, por nuk do të dorëzohet e do ta marrë veten sa më shpejt të jetë e mundur. /tesheshi.com/