Lajm i fundit:Aksidentohet autobusi Athinë-Tiranë, 28 të plagosur

Një autobus i linjës Athinë- Tiranë me 41 pasagjerë është aksidentuar mëngjesin e sotëm aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:40, në vendin e quajtur si Uji i Ftohtë, një segment tejet problematik, autobusi me targa TR 5631, i drejtuar nga Ilia Filo rreth 50 vjeç, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.

Nga informacionet në vendngjarje mësohet se autobusi ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

Sipas policisë janë dëmtuar 28 pasagjerë, ndër të cilët një fëmijë 1 vjeç”, ndërkohë mjekët e spitalit informuan për 31 persona që janë paraqitur në spital për mjekim.

Në spital po trajtohen mbi 12 të plagosur, ndërsa pjesa tjetër pasi kanë marrë mjekimin janë larguar.

Mjeku kirurg në spitalin e Gjirokastrës, Roland Karalli: U paraqitën në fillim në spital 31 persona. Aktualisht po marrin ndihmën në spital 15 persona. Të plagosurit e tjerë morën mjekimin dhe u larguan. Të plagosurit në spital janë jashtë rrezikut për jetën. Nuk kemi pasur nevojë të kërkojmë ndihmë nga spitalet e tjera.

Ora 08:47 Policia informon mbi aksidentin, mes të plagosurve një fëmijë

Policia informon zyrtarisht mbi aksidentin. Blutë bëjnë me dije se “në orën 04:40 njoftohemi se në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë,  në vendin e quajtur  “Uji i Ftohtë”, në një kthesë, autobusi i linjës Tiranë-Athinë, me targa TR 5631 U, me drejtues shtetasin I.F,ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, ku si pasojë janë dëmtuar 28 pasagjerë, ndër të cilët një fëmijë 1 vjeç”.

Policia shton se pasagjerët janë transportuar në Spitalin Rajonal Gjirokastër ku nga 28 pasagjerë të lënduar vetëm 12 prej tyre ndodhen në spital për ndihmë të mëtejshme mjekësore, ndërsa të tjerët pas marrjes së ndihmës së parë janë larguar nga spitali.