Lamtumirë Man.United, Rooney drejt Kinës. Kjo është paga ‘faraonike’

Kapiteni i Manchester United, Wayne Rooney është i gatshëm t’i japë fund epokës në “Old Trafford” për të provuar një eksperiencë të re në Kinë.

Britaniku pritet të bëhet lojtari më i paguar në botë pasi i është premtuar një pagë “faraonike” e padëgjuar më parë në futboll.

Sipas tabloidit britanik “The Sun”, Rooney do të përfitojë 1 milionë sterlina në javë ose e thënë ndryshe plot 52 milionë sterlina në sezon, transmeton SYRI.net.

Mediat britanike po raportojnë që kjo transfertë pritet të kryhet javën e ardhshme pikërisht gjatë ditës së fundit të merkatos të skuadrave kineze.

Trajneri i “Djajve të Kuq”, Jose Mourinho e pranoi që Rooney mund të largohet para se të mbyllet merkatoja të martën e ardhshme.

“A do largohet Rooney? Ju nuk duhet të më pyesni mua por merrni përgjigje nga ai. Unë nuk mund të garantoj për veten time nëse do të jem këtu deri javën e ardhshme, si mund të garantoj për një lojtar? Ajo që unë mund të garantoj është se në qoftë se një ditë Rooney largohet nga klubi atëherë kjo nuk vjen për shkak se unë dua që ai të largohet”, u shpreh ai.

Rooney aktualisht ka edhe 18 muaj të mbetur kontratë me klubin aktual ku përfiton 250 mijë sterlina në javë./ SYRI.net