Lehtësia e padurueshme e kapitullimit

Shqiptarët e Maqedonisë, përgjatë rrugës së historisë, barabarësisht i kanë vuajtur goditjet e eklipseve të panumërta, por edhe kanë ruajtur brenda vetes idenë e afirmimit të identitetit kombëtar. Historia politike e shqiptarëve, pas pavarësisë të shtetit të Maqedonisë, mbetet një histori vullneti për të ruajtur dhe afirmuar qenien kolektive, por edhe një histori e rrënimit të ngadalshëm, të promovuar si skemë funksionimi nga politikat shtetërore të ngritura njëanshëm mbi konceptin e shtetit njënacional maqedonas.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë 

Trajektorja e identifikimit kulturor dhe politik të shqiptarëve të Maqedonisë njeh kohën historike dhe dimensionohet me konstantat identitare, të cilat janë pjesë e pashkëputur e tërësisë së identitetit shqiptar. Në të gjitha dimensionet e gjallnisë ky identifikim përshkohet nga fryma e përshqiptarshme, nga ajo botë e pashkëputur e trashëgimisë historike, që vjen si kujtesë, si vlerë, si shenja përbashkësie nëpër kohët e trazuara të historisë.

Paradigma kulturore shqiptare vjen e mbrujtur në kujtesën e përbashkët historike dhe reprezentohet me gjithë simbolikën e trungut identitar. Kjo matricë historike njeh diskurset kulturore, të cilat ngërthejnë fund e krye simbolikën shqiptare, sistemin e shenjave dhe të kuptimeve që shënjojnë gjallninë shqiptare. Dhe, kjo është njashtu siç përcaktohet edhe me teoritë mbi identitetin kombëtar, që një komb mbi të gjitha është një komunitet simbolik me një “arkë kujtese” të përbashkët, përmes së cilës i jepet kuptim të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes.

Gjatë tërë historisë kjo kujtesë, me gjithë simbolikën e vet, ka qenë e pandashme dhe i ka shtresuar në shpirtin shqiptar mitet themeluese të kombit, të cilat janë të barasvlershme në të gjitha hapësirat shqiptare. Skënderbeu, si kryesimbol, gjuha, flamuri me shqiponjën dykrerëshe, vazhdimësia e trashëgimisë ilire, janë disa nga mitet themeluese që përbëjnë universin simbolik, ku realisht mbruhet identiteti kulturor shqiptar përgjatë historisë.

Pa dyshim se kristalizimi politik dhe kulturor i këtij universi simbolik dimensionohet që nga kohët më të hershme, por reflektimin e gjerë e gjen me Lidhjen e Prizrenit, si një ndër ngjarjet morale më kuptimplota të gjeografisë shqiptare, duke vazhduar më pas përgjatë gjithë Rilindjes Kombëtare si një platformë politike dhe kulturore e identiteti shqiptar. Shtetformësia shqiptare, në asnjë rast, nuk është përjashtim nga këto impulse të përshpirtshme, të cilat përfshijnë aspiratën e thellë historike të shqiptarëve. Por, siç thotë, filozofi Cioran, historia është një ironi në lëvizje dhe kjo sentencë fatkeqësisht i shkon aq shumë fatit shqiptar.

Edhe në kohët më të vonshme trajektorja e rrugëtimit shqiptar nuk shmanget nga kjo paradigmë historike e identitetit kulturor dhe gjithnjë mbetet në akord me këtë univers simbolik, duke ruajtur si përpjekje tërësinë e ekzistencës, siç ndodh edhe gjatë viteve të tridhjeta dhe, sidomos, në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aksidenti historik i ngadhënjimit të komunizmit realisht shënon eklipsin më të tmerrshëm për shqiptarët, humnerën e degdisjes në një mbijetesë të llahtarshme, ndërkohë që identiteti shqiptar do t’iu nënshtrohet goditjeve më të egra.

Shqiptarët e Maqedonisë, përgjatë rrugës së historisë, barabarësisht i kanë vuajtur goditjet e eklipseve të panumërta, por edhe kanë ruajtur brenda vetes idenë e afirmimit të identitetit kombëtar. Historia politike e shqiptarëve, pas pavarësisë të shtetit të Maqedonisë, mbetet një histori vullneti për të ruajtur dhe afirmuar qenien kolektive, por edhe një histori e rrënimit të ngadalshëm, të promovuar si skemë funksionimi nga politikat shtetërore të ngritura njëanshëm mbi konceptin e shtetit njënacional maqedonas.

Stema e Luanit, që po aktualizohet kohëve të fundit dhe që kërkon të imponohet edhe me aminin e ca shqiptarëve në qeveri, mbetet mbi të gjitha një atak ndaj kujtesës historike të shqiptarëve dhe një përpjekje për të dekompozuar dhe për të nënshtruar deri në fund shqiptarët. Kjo maje ajsbergu, që po shfaqet si finalitet politik, si rrumbullakim i shtetit komb maqedonas, qëndron mbi rrënojat e politikës së degjeneruar shqiptare, e cila gjatë tërë kohës ka lejuar dhe ka ndihmuar ngritjen e një koncepti të shtetit që e njeh vetëm identitetin maqedonas, por jo edhe atë shqiptar.

Putrat e këtij luani të kërleshur, që po shfaqet me arrogancë politike, kanë shkelur më parë në shkretëtirën e politikës shqiptare, e cila për interesa konjekturale dhe në shpërputhje me vullnetin shqiptar, ka lejuar ndërtimin e kombit politik maqedonas që tashmë identifikohet tërësisht me shtetin dhe me politikat shtetërore, duke lënë shqiptarët të jenë një gërmadhë e padefinuar politike.

Ky finalitet simbolik-vizuel shtetëror nëpërduket në diskurset e mëhershme politike, të cilat kanë qenë të dominuara nga protagonizmi maqedonas dhe të pakundërshtuara denjësisht nga aktorët e politikës shqiptare. Këto diskurse antagoniste në një farë mase finalizohen fatalisht me Marrëveshjen e Ohrit, e cila realisht sanksionon keqas statusin prej robi të shqiptarëve, ndërkohë që pretendohet të paraqitet si fitore e ndritur për shqiptarët.

Realisht që nga pavarësimi i Maqedonisë diskurset politike maqedonase kanë ngritur mitet themeluese të shtetit, duke përjashtuar identitetin e shqiptarëve dhe duke ngritur simbolikën dhe vizualitetin e shtetit komb maqedonas përmes një historie të rrejshme dhe përmes elementeve me të cilat nuk mund të identifikohen shqiptarët.

Gjithë kjo simbolikë është disperzuar si filozofi shtetformuese, duke u përpjekur që me intriga politike t’i përfshijnë shqiptarët vetëm për ta përligjur këtë koncept unitarist dhe duke i lënë që identitetin e vet ta manifestojnë vetëm nëpërmjet bejteve folklorike dhe identifikimeve tjera të holla etnike, të paartikuluara në tërësinë institucionale të shtetit, të pashtrirë në dimensionet politike dhe kulturore.

Ky luan, që tash po shfaqet në hapësirën publike si finalitet politik i shtetit komb maqedonas është ushqyer më parë me politikat rrënuese shqiptare, me monopatet e mercenarizmit politik shqiptar, me dorëzimin që ka ardhur hove-hove si strategji diskursive dhe simbolike, siç janë Enciklopedia, projekti Shkupi 2014, tekstet shkollore etj., dhe të cilat pa mëdyshje kërkojnë inkorporimin bruto të shqiptarëve pa nam e nishan në kombin politik maqedonas, njashtu siç është projektuar shteti unitar.

Luani është prodhim i strategjisë diskursive maqedonase, i dominimit politik, ekonomik dhe kulturor që njeh simbolikën e rrejshme të njërit etnikum dhe që përjashton keqas dinjitetin historik dhe kulturor shqiptar. Lehtësia e padurueshme e kapitullimit politik dhe kulturor të shqiptarëve vërehet edhe në pretendimin për ta arsyetuar luanin e kërleshur edhe me elemente shqiptare nga ana e disa shqiptarëve në qeveri dhe pseudohistorianëve. Ky pretendim duket mjeran dhe në akord me rrënimin e qenies shqiptare, në akord me imponimin e vizualitetit shtetëror, që ngre dhe projekton simbolikë të paqenë historike, që nuk mund të gëlltitet nga kujtesa historike.

Stema e luanit si simbolikë shtetërore realisht pretendon t’i shpërfytyrojë kodet e identifikimit identitar për shqiptarët dhe gjithë semantikën e simbolikës së etabluar historike. Kjo stemë e propozuar kërkon ta ndryshojë narracionin historik, duke tjetërsuar identitetin politik të shqiptarëve, duke e modifikuar dhe inkorporuar rrejshëm në shtetin komb ekskluziv maqedonas. Ky është një pretendim për ta ndryshuar perceptimin mbi të kaluarën dhe praninë e qenies shqiptare si identitet i veçantë dhe i konsoliduar kulturor. Dhe, akoma më keq, shkon edhe më larg, duke kërkuar riinterpretimin e narracionit dhe simbolikës së etabluar historike dhe kulturore, duke hapur kështu një kohë tjetër, kohën e dekompozimit të përjetshëm për shqiptarët.

Realisht te shqiptarët po vërehet një refuzim i pakompromistë ndaj kësaj steme, e cila njëherësh shënon një rizgjim për t’iu kundërvënë politikave dështuese shqiptare karshi protagonizmit dominues maqedonas. Kujtesa historike pa dyshim do të ngadhënjejë mbi politikat dështuese, të cilat nën rrogoz projektojnë fatin e shqiptarëve në shtet, një fat që tash për tash prodhon vetëm apati, akulturizim dhe dekompozim social. Koha historike, megjithatë, nuk është marrëveshje konjukturale. Ajo determinohet nga universe simbolike të përjetshme, që prajnë në vullnete kolektive. Kërkohet dije dhe dinjitet për t’iu dhënë përgjigje këtyre kumteve që shtrihen si aspiratë historike.