Letra, ku Ambasadori Lu kërkon transferimin

Drejtuar: Departamentit të Shtetit
Në vëmendje: Sekretarit të Shtetit Rex Tyllerson
Lënda: Mbi situatën në Shqipëri

I nderuar Zotëri,
Pas instalimit të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, situata në Shqipëri ka marrë rrugën e përditshme dhe po vërehen reagime të ndryshme, të cuditshme, madje nganjëherë zbavitëse të politikanëve shqiptarë.
Ashtu siç edhe pritej, ka filluar gara se kush e ka më mik Presidentin Trump, ku nuk ka munguar si gjithmonë ish kryeministri Sali Berisha të shpallë se e njeh prej kohësh dhe ka qenë një mik i hershëm i tij. Për të bërë të besueshme këtë legjendë, disa portale online përhapin legjendën sikur Presidenti Trump është me origjinë nga Tropoja, vendlindja e Berishës.
Nga ana e kryeministrit ka një qetësi relative, por ndërkohë vërehen lëvizje të tij për t’u afruar me rrethin e njerëzve të cilët mendohet se kanë lidhje me Shtëpinë e Bardhë. Kuptohet që në panikun që e ka kapur, këtu përfiton çdokush që vetofrohet.
Si gjithmonë shqiptarët janë popullsi me mendësi komplotiste që nuk besojnë asnjëherë në atë që duhet të bëjë një mendje racionale dhe në vend se të bisedojnë me përfaqësuesin zyrtar të Uashingtonit, merren me njerëz të nëntokës siç qe rasti i shoferit që e paraqiti Edi Ramën, në ato kohë në opozitë, si e dashura e tij në një takim, ku merrte pjesë edhe Presidenti i kohës, Obama.
Me këtë psikologji, vazhdojnë edhe reagimet ndaj fushatës që më keni udhëzuar të ndërmarr me finalizim reformën në drejtësi. Edhe në këtë rast, gjithfarë personash të dyshimtë përpiqen të zhvlerësojnë iniciativën tonë.
Pas dy vjetësh në Shqipëri dhe pas eksperiencës në implementimin e një reforme serioze, më duhet që t’ju zhgënjej në një paragjykim që kemi. Thënia se “shqiptarët janë populli më proamerikan në botë”, duhet të korrigjohet. Ata janë proamerikanë , vetëm nëse sjellja jonë vjen në interes të tribusë së tyre, që preferojnë ta quajnë parti. Në të kundërt, janë gati të mbrojnë gjithfarë bashibozuku, siç ishte rasti i Prokurorit të Përgjithshëm, dhe ta shajnë SHBA me rrënjë e me degë. Janë gati të bëhen me Putin, Erdogan, apo gjithfarë aspiranti për diktator, vetëm të ruajnë privilegjet e tyre. E duan Amerikën vetëm që të shpenzojnë paratë e vjedhura në vendin e tyre, si strehim në rast se korrupsioni i tyre nuk kapërdihet as në një vend të korruptuar si Shqipëria.
Në të vërtetë do të ishte e çuditshme e kundërta, që një popull parapolitik që ka njohur në jetën e tij vetëm tirani feudalësh, të dashuronte djepin e demokracisë. Mos të harrojmë se dikur demokratët urrenin Ambasadoren Lino, pastaj socialistët Ambasadorin Uidhers dhe Arvizu (këta të dy provuan dashuri-urrejtjen e të dyja palëve brenda një mandati), dhe tani unë po provoj rishtas inatin e kundërshtarëve të reformës, të cilët për të mobilizuar ndjekësit e tyre, përhapin fjalë se ikja ime do të jetë punë ditësh, përpara se të mbaroj afatin 3 vjeçar. Por të them të drejtën, kjo është e vetmja pikë ku më pëlqen që të realizohet propaganda e tyre, dhe të iki një orë e më parë prej këtu, megjithëse e di që është e pamundur dhe askush nuk preferon të vijë në vendin tim.

Sinqerisht, Juaji
Donald Lu
Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Tiranë, 02.02.2017

*Këndi AGBV është rubrikë humoristike në dritare.net