Lëvizja BESA dhe RDK shpallin zyrtarisht kandidatët për deputetë

Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë,

Jemi sot këtu që para opinionit edhe ta solemnizojmë bashkëpunimin ndërmjet dy subjekteve tona, Rilindja Demokratike Kombëtare dhe Lëvizja BESA. Megjithëse ka kohë që ne e kemi mbyllur këtë bashkëpunim dhe e kemi kaluar në organet më të larta të partive tona, në Këshillin Qendror të Lëvizjes BESA dhe në Kuvendin Qendror të Rilindjes Demokratike Kombëtare, jemi sot këtu që edhe publikisht para opinionit ta solemnizojmë, duke e nënshkruar këtë marrëveshje.

Të nderuar, në kohën kur shqiptarët e Maqedonisë janë zhgënjyer nga politikanët që 15 vite premtojnë dhe thyejnë premtimin, jemi sot që t’ju ftojmë t’i besoni këtij opsioni, i cili ngrihet mbi dy shtylla të rëndësishme të shqiptarisë: BESËS, që është vlera më sublime shqiptare, dhe RILINDJES, që është fabrika e shqiptarisë dhe elementi më qenësor i ringritjes sonë. Në kohën kur gjendja jonë si komb ka degraduar deri në masën që nuk mund të matet, BESA ME RILINDJEN janë këtu që ta rikthejnë këtë shpresë dhe ta ringjallin motivin se megjithatë nuk janë të gjithë shqiptarët si ata që deri sot kanë qenë në kolltukët e pushtetit.

Nisur nga kjo, edhe koalicioni jonë do të ketë emrin RILINDJE ME BESË dhe ky do të jetë lajtmotivi i gjithë fushatës sonë: ata që duan BESË dhe RILINDJE, atë mund ta gjejnë te ne.

Të nderuar, meqë sot është dita e fundit e dorëzimit të listave zgjedhore, ne jemi përpjekur që të bëjmë listë sa më cilësore, pa bërë kalkulime mbi interesat personale të askujt, por kemi qenë këmbëngulës që të bëjmë një listë që e përfaqëson identitetin tonë politik, që është në gjendje ta bartë mbi vete këtë platformë politike dhe e cila do të jetë në Parlamentin e Maqedonisë zëri i vërtetë i shqiptarit të Maqedonisë.

Kur jemi këtu do të më lejoni që në pika të shkurtra t’jua prezantoj se cilat janë pikat e angazhimit tonë të përbashkët politik, e pastaj të themi dy-tri gjëra edhe për listat zgjedhore. Sa i takon platformës e cila na ka bashkuar, ajo konsiston në këto pika:

  • integrimi i vendit në NATO dhe hapja e negociatave për aderim në BE;
  • të bëhet depolitizimi dhe departizimi i sistemit të drejtësisë, i sistemit të sigurisë dhe i administratës dhe të luftohet secila formë e korrupsionit dhe e abuzimit me pushtetin;
  • të garantohet liria dhe pavarësia e mediave;
  • të luftohen të gjitha format e ekstremizmit dhe ksenofobisë.
  • evaluimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe, brenda mandatit katërvjeçar, të bëhet RIDEFINIMI i sistemit politik e juridiko-kushtetues të shtetit.

Ne do jua shpërndajmë edhe kopjet e plota të marrëveshjes sonë, ku këto elemente i kemi zgjeruar edhe më tej.

Ndërkaq, sa i takon çështjes së listave zgjedhore, më lejoni t’jua kumtoj zyrtarisht emrat e bartësve të listave zgjedhore, ndërsa emrat e tjerë do të mund t’i shihni në materialet që do t’ua shpërndajmë. Këtu më duhet të them se ne, në koordinim me partnerin tonë të koalicionit, e vendosëm që të ofrojmë lista vetëm për zonat 1, 2, 5 dhe 6, ku janë të përqendruara shumica e votave shqiptare, ndërsa në zonën zgjedhore numër 3 dhe 7 gjykuam se nuk mund të arrijmë të bëjmë betejë serioze dhe vendosëm që mos të kandidohemi fare. Neve na vjen keq që një pjese e mbështetësve tanë të zonës 3 dhe veçmas mërgata shqiptare, nuk do të kenë mundësi të votojnë për ne, por mundësia jonë me kaq prani në skenë ishte kjo. Për këtë arsye, madje, jemi në organizim e sipër që votuesit tanë të mërgatës të mund të vijnë në vendlindje vetëm për ta dhënë votën e tyre. Megjithatë, shpresojmë se në zgjedhjet e ardhme kjo do të zgjidhet ndryshe: insistimi ynë është të ndryshojë kodi zgjedhor dhe pastaj secila votë do të jetë e vlefshme njësoj.

Prandaj, po i prezantoj emrat e bartësve të listave që i përmenda:

  • në njësinë numër 1 koalicioni RILINDJE ME BESË do të udhëhiqet nga nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi;
  • në njësinë numër 2 koalicionit do t’i prijë sekretari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi;
  • njësia numër 5 do të udhëhiqet nga dr. Arben Labënishti, po ashtu nënkryetar i Lëvizjes BESA dhe
  • njësia numër 6 do të udhëhiqet nga kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami – si numër 1 dhe kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Fadil Zendeli – si numër 2.

Ne jemi shumë të bindur se kjo listë dhe ky përfaqësim mbase është përfaqësimi më dinjitoz, më serioz dhe më cilësor që kanë pasur shqiptarët e Maqedonisë, andaj derisa në zgjedhjet e kaluara dikush e arsyetonte veten se po zgjedhë mes dy të ligave, tashmë ka mundësi të zgjedhë mes të mirës dhe të ligës.

Prandaj ne i ftojmë të gjithë shqiptarët që të mobilizohen, të dalin në votime në mënyrë sa më masovike dhe të mos e çojnë votën e tyre dëm. Tashëm të gjithë e dinë mirë e saktë se, nëse dikush është gati ta ndryshojë këtë pushtet, ata jemi ne dhe për këtë arsye e kërkojmë besimin tuaj.

Me këtë rast i bëjmë thirrje anëtarësisë së dy partive tona që të zhvillojnë një fushatë dinjitoze, të shmangen konfliktet dhe provokimet që i bën partia në pushtet, por edhe t’ua bëjnë me dije atyre se ne nuk kemi çka humbim – kjo betejë është për neve betejë për idealin dhe mirëqenien e shqiptarëve dhe në këtë rrugë nuk kemi ndër mend të bëjmë kompromis me askënd.

Ne besojmë dhe urojmë që 12 dhjetori vërtet të jetë një datë kur ne të gjithë do të zgjohemi duke marrë frymë lirshëm, duke e nderë ardhjen e lirisë dhe fundin e këtij regjimi!.