Lëvizja BESA: I dënojmë ashpër sulmet nëpër autobusët urbanë

Këto ditë jemi dëshmitarë të sulmeve ndaj autobusëve urbanë, me të cilët qytetarët udhëtojnë për vendbanimet e tyre.

Tashmë të gjithë e kanë të qartë dhe nuk përbën më lajm se tandemi VMRO-BDI në çdo periudhë parazgjedhore inskenon incidente të këtilla, për ta tensionuar situatën ndëretnike dhe për të krijuar terren për retorikën e tyre, gjoja nacionaliste, ku ata do të paraqiten si mbrojtës ekskluzivë të dy etnive më të mëdha në vend.

Për Lëvizjen BESA siguria e lëvizjes së lirshme të qytetarëve është e drejtë, që duhet të garantohet fuqishëm nga organet kompetente në shtet. Ne i bëjmë thirrje popullsisë që mos të bie pre e këtyre inskenimeve për politika ditore. Po ashtu kërkojmë nga MPB-ja që t’i zbardhë këto raste menjëherë, ndërsa aktorët të nxirren para drejtësisë, përfshirë edhe ideatorët.

Kur BESA t’i fitojë zgjedhjet parlamentare, ajo do të angazhohet fuqishëm për departizimin e strukturave të sigurisë dhe reformimin e saj, me qëllim që ajo ta kryejë punën në mënyrë profesionale, me çka do ta minimizojë hapësirën që të ndodhin raste të këtilla barbare ndaj popullatës së pafajshme./antpress