Lëvizja BESA: Ku shkojnë paratë për mirëmbajtjen e rrugëve kur bie borë?

Në bazë të planit për në sezonin e dimrit mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dha regjionale për vitin 2016, për ndërmarrjen “Makedonija pat” janë ndarë mjete në vlerë prej 396.000.000,00 denarë edhe atë vetëm për shërbime dimërore dhe për furnizime me material për këto shërbime. Kështu edhe për vitin 2017 është ndarë pothuajse e njëjta shumë.

Këto mjete dedikohen për pastrimin e rrugëve me material abraziv dhe kripë, që hyjnë në funksion vetëm kur ka reshje të borës. Edhe përkundër ndarjes së mjeteve financiare, gjendja faktike në rrugët magjistrale dhe regjionale të Maqedonisë është krejtësisht tjetër. Edhe pse janë ndarë mjete për këtë qëllim, përsëri vërehet mosintervenimi i organeve kompetente, haset organizim shumë i dobët i punëve në terren, shërbimet janë me çmim mjaft të lartë dhe joreal, makineria është e vjetruar dhe kontratat me personat e tretë, që hynë si kontraktues, janë të dëmshme, me çka shkaktohen shpenzime të larta joreale.

Përveç që e dënojmë këtë qasje joserioze të autoriteteve ndaj këtij detyrimi, Lëvizja BESA është thellësisht e interesuar për shfrytëzim më racional të mjeteve, menaxhim më efikas dhe efektiv të potencialit aktual të kësaj ndërmarrje, duke mos i keqpërdorur mjetet e dedikuara, që kështu t’u dilet në ndihmë qytetarëve dhe në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të pastruara dhe të kalueshme.