Liberalizimi i vizave, BE-ja: Kosova t`i përmbushë kushtet

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, kanë arritur pajtim rreth mekanizmave për suspendimin e liberalizimit të vizave, për shtetet të cilat gëzojnë këtë mundësi, në raste të keqpërdorimeve apo rrezikut nga migrimi masiv.
Me këto mekanizma, që pritet të hyjnë në fuqi së shpejti, shtetet anëtare do ta kenë më të lehtë te rivendosin vizat me një procedurë shumë më të shpejtë.
Deri më tash, hyrja në fuqi e këtyre mekanizmave është përmendur në BE si pengesë që disa shtete të pranojnë heqjen e vizave për tri shtetet që janë në pritje; Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Kosovën.
Me këtë, nga ana e BE-së janë hequr pengesat politike për liberalizimin e vizave për këto shtete.
Por, në rastin e Kosovës mbetet të përmbushen edhe dy kushte: ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe rezultatet konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pa përmbushjen e këtyre kushteve nga Kosova, thonë në BE, nuk do të ketë ecje përpara në proces, ndërkohë që dy shtetet tjera i kanë përmbushur të gjitha kushtet dhe atyre pritet së shpejti t’u hiqen vizat.
“Kjo marrëveshje është e balancuar dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme, si për efikasitetin, ashtu edhe për kredibilitetin e politikës së unionit për liberalizim vizash. Mekanizmat ekzistues të suspendimit nuk janë të përshtatshme dhe ato do të përmirësohen. Në të njëjtën kohë, fakti se kemi arritur marrëveshjen do të duhej të hapte derën për përparim të mëtejmë në bisedat për liberalizimin e vizave me vendet të cilat i kanë përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme“, ka thënë ministri i brendshëm i Sllovakisë, Robert Kaliňák, i cili edhe kryeson Këshillin e ministrave të brendshëm të BE-së.
Më herët, ndër arsyet për suspendimin e të drejtës për udhëtim pa viza ishin përfshirë rritja e madhe e numrit të azilkërkuesve të pa bazë, rritja e numrit të atyre që nuk u lejohet hyrja, apo e atyre të cilët tejkalojnë afatet kohore të qëndrimit në vendet e BE-së.
Me marrëveshjen e fundit, listës së arsyeve për të cilat do të mund të rivendosej regjimi i vizave i janë shtuar edhe ulja e nivelit të bashkëpunimit në riatdhesim, rritje domethënëse e shkallës së refuzimit të kërkesave për riatdhesim, përfshirë edhe për shtetasit e vendeve të treta në transit, sikur edhe rritja e rrezikut për sigurinë e brendshme të shteteve anëtare.
Edhe për vendet që janë të përfshira në liberalizimin e vizave, sikur edhe për ato që do të përfshihen në të ardhmen, përfshirë edhe Kosovën, vizat do të mund të rivendosen fillimisht për një periudhë tremujore, me notifikim nga këto vende në Komisionin Evropian, apo me shumicën e thjeshtë të votave të shteteve anëtare.
/REL/