Ligji për veteranët rrezikon shumë të ardhmen e Kosovës

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vënë kushtin kryesor qeverisë që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë të pagesës për veteranët, përndryshe Kosova rrezikon të mos i marrë 100 milionë euro, që i takojnë me marrëveshjen Stand By, raporton KTV.

Zyrtarë të këtij fondi kanë bërë të ditur se do të nisin konsultat me qeverinë, parlamentin dhe shoqatën e veteranëve të luftës, për t’ua sqaruar se ligji aktual rrezikon shumë të ardhmen ekonomike të vendit.

Sipas vlerësimeve të FMN-së, nëse mbetet i njëjti ligj, Kosova do t’i shpenzojë 2 miliardë euro për 20 vitet e ardhshme, duke i paguar veteranët.

Një problematikë të tillë e ka pranuar edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili ka deklaruar se po presin që me nisjen e procesit të ndryshimit të këtij ligji me AKA-në mund të shpëtohet marrëveshja.

Në këtë konferencë, FMN-ja ka lëvduar masat e ndërmarra nga institucionet në një numër sektorësh, ndërsa ka kërkuar nga BQK-ja që të nisë sa më herët marrjen e masave për ndryshimin e ligjit për kompanitë e sigurimeve.