LIKA: Dokumenti i MO-së shihet dhe perceptohet në një dimension të ri

Zëvendëskryeministri Hazbi Lika në 16 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ka thënë se ky dokument shihet dhe perceptohet në një dimension te ri dhe atë jo se ky dokument i cili ka ndryshuar, mirëpo, “për shkak se në zgjedhjet e fundit qytetarët na e bënë me dije se duhet të kthehemi pranë gjirit të tij”.

“Edhe pse vetë akti i nënshkrimit dhe i hyrjes në fuqi i Marrëveshjes së Ohrit duke u bërë edhe pjesë e Kushtetutës mori mbështetje nga strukturat politike, ajo deri me sot nuk gjeti trajtimin e duhur në praktikë, megjithatë, fryma e saj ka qenë një katalizator e cila në masë të caktuar ka shërbyer të mbajë gjallë shpresën e qytetarëve për të mos devijuar në përcaktimet euro – atlantike. Në strukturat shoqërore dhe politike të shoqërisë dhe shtetit ka vota për dhe kundër por në demokraci parim kryesor është  mendimi ndryshe, kurse shteti e ka për obligim të vendos prioritete. Besoj se marrëveshjet kur bëhen në emër te qytetareve duhet te kthehen në shërbim te qytetareve dhe jo të shërbejnë si peshore për zgjedhje elektorale”, ka thënë Lika, raporton Medial.mk.

“Sot ka një qasje më objektive dhe partnerët e koalicionit përveç detyrimeve duhet te krenohen me veprat konkrete qe ka marr që në fillim të mandatit për të dhënë sinjale se Maqedonia është e qytetarëve të saj. Duhet të mos harrojmë se ky proces është me rëndësi jetike për ardhmërinë e përbashkët dhe se Marrëveshja e Ohrit po luan një rol kyç për demokratizimin dhe integrimin e vendit.

Qeveria e tanishme me programin e sajë në politikën e brendshme dhe të jashtme, përfundimisht, pa mëdyshje po tregon se, synojmë vlerat euro-atlantike dhe për këtë arsye, mund të thuhet se vendi ynë tashmë me hapat që po bën është më pranë se kurë më parë. Qeveria aktuale me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili shpresoj që së shpejti të miratohet edhe nga Parlamenti, dëshmon se jemi duke ecur në rrugën e drejtë për realizimin e reformave dhe demokratizimin e mëtutjeshëm të institucioneve”, thekson zv/kryeministri Lika.