Lika: Qeveria e RM-së miratoi ligjin për përdorimin e gjuhëve

Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z. Hazbi Lika, sot në Ohër deklaroi se Qeveria ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ky ligj i përmbush të gjitha nevojat e komuniteteve në vendin tonë, u shpreh ai gjatë prezantimit të ligjit së bashku me kryeministrin z. Zoran Zaev.

“Qeveria e RM-së mbrëmë miratoi ligjin për gjuhët dhe me këtë tregoi se është e gatshme të çojë proceset përpara. Përveç ligjit për gjuhët, në kohën e fundit e sidomos javën që po e lëmë, kjo qeveri arriti edhe një marrëveshje për fqinjësi të mirë, siç është ajo me Bullgarinë. Me këto hapa, kjo qeveri tregon se ka forcë dhe guxim për ti çuar proceset aty ku synojmë të gjithë.

Ne i jemi falënderues të gjithë atyre që kontribuan për të arritur këto marrëveshje dhe për të sjellë këtë ligj, i cili përmbush nevojat e të gjithë komuniteteve që jetojnë në RM, pa e cenuar të drejtën e njëri tjetrit e duke i dhënë hapësirë të nevojshme për të realizuar obligimet e përditshme”, tha z. Lika.

Ky ligj, shtoi ai, u miratua dhe tani presim që Parlamenti të pranojë të njëjtin, presim që deputetët e RM-së të reflektojnë në këtë ligj, sepse jemi përpjekur që në të gjithë aspektet të mbrojmë edhe dokumentet kryesore të shtetit e poashtu edhe të gjejmë mënyrën e realizimit të këtij ligji në atë mënyrë që çdo qytetar i RM-së të realizojë nevojat e veta.

“Me këtë rast unë i uroj gjithë qytetarët e RM-së, posaçërisht shqiptarët të cilët do kenë një ligj të mirë i cili do i plotësojë nevojat e tyre sidomos në aspektin administrativ dhe në nivele tjera më të larta. Ne jemi të kënaqur që arritëm këtë dhe besoj do ta shfrytëzojmë të gjithë, me ç’rast qytetarët e RM-së sot janë një hap shumë më përpara drejt realizimit të bërjes së shtetit, poashtu jemi më përpara edhe drejt realizimit të objektivave tona për sa i përket çështjeve integruese”.

Zëvendëskryeministri Lika falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë në miratimin e propozim ligjit për gjuhët.

“Unë i falënderoj edhe bashkëpunëtorët e mi si z. Bilent Saliun- Ministër i drejtësisë, i cili pat fatin që nëpërmjet kësaj ministrie të bëhet propozim ligji.

Falënderoj z. Bujar Osmanin i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në gjetjen e mënyrave për të harmonizur marrëveshjet rreth këtij ligji, dhe poashtu falënderoj edhe kabinetin e ministrave të cilët arritën që të pranojnë këtë ligj dhe arritën që të krijojnë një raport të ndërsjellët mirëkuptimi për të sjellur në Parlament një propozim ligj i cili do të jetë në favor të të gjithëve.

Unë falënderoj në mënyrë të posaçme kryeministrin e RM-së i cili pati vullnet dhe guxim që të bëjë këtë ndryshim e t’i mundësojë gjithë qytetarëve të gjejnë veten në këtë ligj që do të mundësojë realizimin e nevojave të tyre të përgjithshme, sepse gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi të barabartë dhe të kontribuojmë të forcojmë qëndrimet tona të mëtutjeshme që të jemi konkurent jo vetëm brenda shtetit, por të konkurrojmë edhe në nivele rajonale e pse jo edhe më gjërë. Edhe njëherë ju njoftojmë që ky ligj i përmbush të gjitha nevojat e qytetarëve të RM-së, duke mos u entuziaziazmuar shumë, sepse ka shumë punë kundrejt implementimit të këtij ligji i cili kërkon një kontribut mjaft serioz dhe hap të madh që të punojmë në drejtim që njerëzit konkretisht ta kenë sa më pranë vetes dhe sa më shumë të realizojnë interesat e tyre në gjuhën e vet”, u shpreh z. Lika në deklaratën për mediat në prezantimin e ligjit për gjuhët që mbrëmë e miratoi Qeveria e RM-së.