Limaj: Do t’i krijojmë 25 mijë vende të punës brenda dy viteve

 

Kryetari i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj sot pasdite në Gjilan ka takuar simpatizantët e këtij subjekti, ku shpalosi programin qeverisës social demokrat.

“Po i shpalosim disa pika të programit qeverisës që janë të domosdoshme me ardhjen në Qeveri të subjektit Nisma. Do të jetë një Qeveri reformatore në administratë, do t’i krijojmë 25 mijë vende të punës brenda dy viteve dhe përparësi kanë 25 mijë familje me gjendje sociale, ku do të punësohen nga një anëtarë i këtyre familjeve”, theksoi Limaj.

Ai tha se me ardhjen e Qeverisë, Nisma do të ketë lehtësira dhe stimulim të bizneseve kosovare, ngase sipas tij, viteve të fundit ka mbyllje të bizneseve.

Për këtë, ai tha se ka plan konkret për biznese dhe punësim.

Kryetari i degës së Nisma për Kosovë në Gjilan, Bajram Hasani tha se janë dy kritere kryesore në program, investimet në bujqësi 400 milionë euro dhe krijimin e 25 mijë vendeve të reja të punës.

Nga komuna e Gjilanit kandidatë për deputet nga Nisma janë Bajram Hasani dhe Valdete Bajrami.

Limaj duke kërkuar votën në zgjedhjet e 11 qershorit tha se me nismën në Qeveri do të rritet paga minimale në sektorin privat.