Lindita fiton “Festivalin e Këngës”, por dominojnë akuzat dhe kritikat

Lindita Halimi është fituesja e edicionit të 55 të “Festivalit të Këngës”.

Këngëtarja do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision me këngën “Botë”.

Kënga fituese është shkruar nga Klodian Qafoku dhe Gerland Xhari.

Çmimi i parë i Lindita Halimit ndiqet nga Genc Salihu në vend të dytë dhe Dilan Reka në vend të tretë.

Por “Festivali i Radio Televizionit Shqiptar” ka shkaktuar thuajse çdo vit replika për përzgjedhjen e këngëve dhe fituesin e tij.

Këtë herë prapaskenat kanë shkaktuar një mori kritikash dhe skandale, raporton GSH.

Fillimisht kanë qenë adhuruesit, ata që kanë akuzuar organizatorët për manipulime e më pas artistët konkurrues, të cilët kanë “sulmuar” organizatorët për “lojë të padrejtë” në mënyrën e trajtimit të artistëve dhe favorizimeve, e si përfundim, komente denigruese kanë ardhur në adresë të prezantuesve dhe vetë festivalit.

Edicioni i 55 i “Festivalit të RTSH-së” ofroi mundësinë e votimit online, për të cilin kishte deklaruar se një votë e publikut vlente dy herë më shumë se ajo e një anëtari jurie.

Megjithatë, shumëkush e pati të vështirë, apo të pamundur të votonte këngën e preferuar, pasi shumë prej tyre nuk e kanë marrë kodin e konfirmimit në faqen e dedikuar, madje edhe votimi nuk ishte i vlefshëm, meqë faqja dilte e bllokuar.

Por ky ishte vetëm “ngërçi” i parë, pasi një akuzë tjetër në ngarkim të festivalit të RTSH-­së erdhi nga artistët e skualifikuar nga finalja.

Këngëtarja nga Gjakova, Festina Mejzini hodhi dyshime për pazare.

“Ja që votimi dështon dhe hyn në lojë diçka tjetër, që nuk ka të bëjë me drejtësi dhe art! Turp për festivalet shqiptare që lanë nam me mënyrën e votimeve!”, shkruan Festina në faqen e saj të “Facebook”.

Ndërsa grupi “Classic Boys” kanë akuzuar producentët e festivalit se u kanë ulur zërin qëllimisht, që mos të bënin jehonë.

Një nga anëtarët e grupit, Gerald Murrja ka thënë: “Tani po e dëgjoj këngën dhe them me vete si ka mundësi që më shumë volum paska një këngëtar i muzikës së lehtë se sa 3 këngëtarë klasikë?”.

Ai ka vijuar me akuzat: “Mos vallë produksioni i TVSH-së dëshironte që të këndonim edhe pa mikrofona vetëm e vetëm që të na eliminonte?! Siç dëgjohet, zërat tanë janë të mbytur, edhe pse po jepnim shpirtin aty që të dëgjoheshim sa më shumë. Nuk e kuptoj pse duhet të hedhin poshtë djersën dhe sakrificën e 3 djemve të rinj e duke u prerë krahët në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Turp! Nga ky vend duhet të largohemi sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ndërsa shkrimtari që këtë vit mori pjesë si tekstshkrues, Albatros Rexhaj, ka kontestuar mënyrën e shpalljes së rezultateve të finalistëve.

Albatros Rexhaj reagoi për pjesën më të ndjeshme të konkurrimit, atë të vendosjes së pikëve, për të cilën dyshon se është kalkuluar dhe nuk ka qenë transparente.

Në një tekst të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Albatrosi e ka konsideruar votim politik dhe jo artistik, atë që ndodhi me finalistët, teksa kritikon fshehtësinë e plotë dhe akuzon producentin Rezart Aga se i ka bërë llogaritë si “Big Brother”.

Nga ana tjetër, “të dështuar” janë quajtur edhe dy prezantuesit e këtij viti, Ledina Çelo dhe Kasem Hoxha.

Këngëtarja e njohur shqiptare, e cila ka qenë disa herë fituese e Festivalit të RTSH-së është kritikuar ashpër jo vetëm për lapsuset dhe ngatërresat e emrave të artistëve, por edhe për veshjen e saj aspak të përshtatshme për atë skenë.

Fustani transparent i Ledinës, i cili i nxirrte në pah krejtësisht të zbuluar fundshpinën u quajt si skandaloz në rrjetet sociale, por këngëtarja nuk kërkoi ndjesë për këtë, duke e kaluar zgjedhjen e saj në heshtje.

Ndërsa kolegu i saj, aktori Kasem Hoxha u përfol për “paaftësi” në moderim, raporton GSH.