Lindsey Lohan: Ndiej qetësi sa herë që lexoj Kur’an

Aktorja hollivudiane, Lindsay Lohan, ka zbuluar në detaje marrëdhënien e saj me Islamin, gjatë një emisioni televiziv arab “Siëar Shoaib”, me moderator Shoaib Rashid.

Rashid në mes tjerash e pyeti Lohan edhe në lidhje me fotografinë tashmë të famshme, në të cilën ajo paraqitet duke mbajtur një kopje të Kur’anit të shenjtë në dorë.

Lohan tha se ajo ishte duke kaluar nëpër shumë situata në kohën kur është bërë ajo foto. “Dhe Kur’ani ishte një ngushëllim, dhe një burim qetësie dhe sigurie për mua”, shtoi aktorja.

Ajo i tha Rashid-it më tej se ka falur namaz dhe ka agjëruar muajin Ramazan.

“Unë agjërova tri ditë gjatë Ramazanit bashkë me mikun tim nga Kuvajti. Ishte e vështirë, por ishte mirë. Ishte vërtet një ndjenjë e mirë”, tha ajo.

Aktorja 30-vjeçare ka thënë se ka lexuar 15 faqe nga Kurani i shenjtë në anglisht, dhe se ajo po praktikon shkrimin e disa vargjeve në gjuhën arabe gjithashtu.

Lohan tha se dëgjon Kur’anin në telefonin e saj celular, duke përdorur një aplikacion.

“A ndjeni diçka të veçantë, kur lexoni Kur’anin?”, e pyeti Rashid. “Ndjej qetësi”, tha Lohan.