LIVE :Filloi seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë

Në seancë marrin pjesë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE që në fillim të seancës theksoi se Xhaferi me paraqitjen e tij në gjuhën shqipe ka shkelur kushtetutën dhe rregulloren për punën e Kuvendit.

Milloshoski gjithashtu theksoi se ky Kuvend dhe kjo seancë fillojnë me një njollë jodemokratike e cila do të rëndoj mbi Talat Xhaferin, sepse ai është i vetmi që pranoi të jetë kryetar i Kuvendit i zgjedhur në mënyrë jo-demokratike. Sipas Milloshoskit VMRO-ja nuk do e njoh Xhaferin për kryetar të Kuvendit por vetëm si deputet.

Xhaferi në kundërpërgjigjet e tij theksoi se ai është zgjedhur nga shumica parlamentare dhe si i tillë në mënyrë legjitime dhe në përputhje me kushtetutën, ligjet dhe rregulloren për punën e Kuvendit do ta ushtroj funksionin e tij, si kryetar i Kuvendit.

Ndërkohë Ilija Dimovski, kërkoi që në mënyrë urgjente të miratohen ndryshime dhe plotësime në Kodin Zgjedhor, që do t’i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve lokale në fillim të muajit tetor.

Ndërsa Goran Misovski, nga PRSD-ja theksoi se definitivisht pas 8 viteve nga foltorja me kënaqësi do ti drejtohet Kryetarit të Kuvendit. Ndërkohë që kundërshtoi propozimin e Dimovskit të VMRO-së, sepse sipas tij nuk mund të hapet debat për asnjë ligj derisa nuk formohen komisionet parlamentare.

“Gjithnjë derisa deputetët e VMRO-DPMNE-së bllokojnë formimin e grupeve parlamentare dhe trupave kuvendore, Kuvendi nuk mund të hap debat pçër ndonjë propozim ligj”, tha Misovski.

 


Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta mbajë seancën e dytë, ku pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e Qeverisë.

Mandatari Zoran Zaev të dielën rreth mesnatës i dorëzoi Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Propozim-programin dhe Propozim-përbërjen e qeverisë së re.  Seanca e Kuvendit u caktua për në ora 11. Sipas rregullores për punë të Kuvendit, Zaev do të ketë fjalim para deputetëve, pas çka do të vazhdojë debati. Rendi i fjalimeve të deputetëve është dakorduar në seancën e djeshme koordinative me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi. Në këtë seancë nuk mori pjesë përfaqësues i VMRO-DPMNE-së.

Qeveria duhet të zgjedhet dy ditë pas fillimit të seancës, respektivisht më së voni deri të mërkurën në mesnatë. Që ajo të zgjedhet, nevojitet të votojnë të paktën 61 deputetë.

Në Qeverinë e re ministra do të kenë LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat kanë shumicë prej 62 deputetëve në Kuvendin 120-anëtarësh.

Radmilla Shekerinskën është propozuar për  ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski – i Punëve të Brendshme, Dragan Tevdovski – i Financave, Nikolla Dimitrov – i Punëve të Jashtme, Renata Deskoska – e Arsimit dhe Shkencës, Goran Sugarevski – i Transportit dhe Lidhjeve, Lupço Nikollovski – i Bujqësisë, Mila Carovska – e Punës dhe Politikës Sociale, Damjan Mançevski – i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Robert Alagjozovski – i Kulturës. Koço  Angjushev është propozuar për kryeministër i Çështjeve Ekonomike, ndërsa Edmond Ademi, Robert Popovski, Adnan Qahil, Samka Ibrahimovski, Zoran Shapuriq dhe Zorica Apostolovska për ministra pa dikaster.

Partneri i koalicionit Bashkimi Demokratik për Integrim, në seancën e kryesisë partiake vendosi që në kabinetin e ardhshëm të participojë me Hazbi Likën si zëvendëskryeministër të Sistemit Politik dhe Marrëdhënie me Bashkësitë, Bujar Osmanin – zëvendëskryeministër të angazhuar për Eurintegrime, Sadulla Duraku – ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ramiz Merko – ministër pa dikaster, Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë dhe Bylent Salihu – ministër i Drejtësisë.

Ministër i Vetëqeverisjes Lokale është propozuar Suhejb Fazliu, ndërsa ministër i Shëndetësisë Arben Taravari. Fazliu dhe Taravari janë propozime të Aleancës për Shqiptarët.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit për zgjedhje të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.


Kuvendi i republikës së Maqedonisë sot e fillon debatin për miratimin e kabinetit të ri, që është hapi final kah një transfer i vlerësuar si tejet i rëndësishëm i pushtetit.

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, socialdemokrati Zoran Zaev, tashmë i ka dërguar emrat e 26 anëtarëve të kabinetit të tij në Kuvend. Kjo listë e emrave përbëhet nga anëtarët e partisë së tij dhe të dy partive shqiptare, BDI-së dhe Aleanca për shqiptarët.

Ky koalicion, do t’i ketë gjithsej 62 deputetë në Kuvendin prej 120 ulëseve. Prej janarit të vitit 2016, Maqedonia është udhëhequr nga një qeveri teknike.

Kur Zaev të konfirmohet për kryeministër, kjo do ta shënoj përfundimin e periudhës së qeverisjes 11 vjeçare të VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit.