Llalla sulm të hapur SHBA: Donald Lu nuk je Zot këtu! Më refuzove vizën, për përfitime personale

Kryeprokurori Adriatik Llalla e ka quajtur sulm të hapur dhe jo diplomatik akuzën e ambasadorit amerikan në vendin tonë Donald Lu se Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi dhe se ka shkelur kushtetutën me emërimet në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Në një konferencë për mediat, zëdhënësja e këtij institucioni, radhiti arsyet që sipas saj kanë çuar në sulmin e Lu-së ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. E gjitha vjen pas një letre që Llalla i ka dërguar presidentit Bujar Nishani dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta, ku i flet se ditët e fundit është vënë në presion të hapur nga ambasadori Lu.

Në letër, kryeprokurori konfirmon se ambasada e SHBA-së i ka anuluar vizën atij së bashku me bashkëshorten, si edhe disa prokurorëve të tjerë. Në vlerësimin e Llallës, kjo lëvizje ka ardhur për disa arsye që lidhen me qëllime dhe përfitime personale të ambasadorit amerikan. / lexo.al