Londra e Parisi bashkohen për ekspozitën më unike me veprat e Piacassos

Londër, 1 shkurt – Veprat më të mëdha të Picassos po bëhen bashkë për “herë të parë” në një ekspozitë në Londër dhe në Paris që do t’i marrë vizitorët në një udhëtim në vitin më të rëndësishëm të artistit.

Ekspozita “Piacasso 1932” do të zërë vend ndërmjet “Musee National-Picasso” në Paris dhe “Tate Modern” në Londër ku edhe do të jetë pika kryesore e ekspozitës dhe “një prej shouve më të rëndësishëm të galerisë së organizuar ndonjëherë”, shkruan The Guardian, transmeton sot “Koha Ditore”. Do të ekspozohen më shumë se 100 vepra, duke përfshirë të famshmen “Le Reve”, një pikturë erotike e mbushur me dëshira për të dashurën e Piacassos, Marie-Therese Walter, për të cilën është raportuar se është blerë në vitin 2013 nga koleksionuesi dhe menaxheri Steven A Cohen dhe nuk është ekspozuar asnjëherë më parë në Britani të Madhe.

Po ashtu aty do të jetë edhe piktura e huazuar “Girl Before a Mirror”, thesar, pjesë e koleksionit në “MoMa” të New Yorkut, e cila shumë rrallë udhëton jashtë muzeut. Do të jetë ekspozita e parë ekskluzivisht me veprat e Picassos që do të mbahet në “Tate Modern”.

Achim Borchardt-Hume, drejtori i galerisë dhe bashkëkuratori i ekspozitës në vitin 2018, ka thënë se kuratorët janë përballur me sfida të ndryshme.

“Si mund të afrohesh me Picasson në aspektin artistik dhe atë personal? Si mund të shkojmë përtej mitit”, ka thënë ai. Përgjigjja ka qenë fokusi në një periudhë të jetës së Picassos. Ata zgjodhën vitin 1932, “vitin e mrekullive” të Picassos. Ishte viti kur ai betonoi statusin si superyll, si artisti i gjallë me influencën më të madhe në botë, duke prodhuar disa prej veprave të tij më të mëdha të artit dhe krijimi i parë i retrospektivës së tij, të cilën ai vetë e kuroi. Ishte po ashtu viti kur pasioni i tij për Walterin gati se nuk shpërtheu. Në vitin 1927, Picasso ishte 45-vjeçar kur dalloi Walteren 17-vjeçare kur ajo po qëndronte në stacionin e metrosë në Paris. I ishte afruar, e kishte kapur për krahu dhe i kishte thënë: “Unë jam Picasso! Unë dhe ti do të bëjmë gjëra të mrekullueshme së bashku”. Pikturat e Picassos për Walter hyjnë në mesin e më të mirave, me “Le Reve” si një prej më të vlerësuarave të tij. Për vite të tëra kjo pikturë ka qenë pronë e magnatit të kazinos në Los Angeles, Steve Wynn, i cili në mënyrë të çuditshme arriti që ta dëmtojë pak kohë para se të përfundonte procedura e shitjes për Cohenin në vitin 2006. Piktura ishte restauruar me sukses dhe në fund i ishte shitur Cohenit në vitin 2013, për të cilën ishte raportuar të jetë çmimi më i madh që një koleksionues ndonjëherë të ketë paguar për një vepër arti.

Prej vitit 1932 janë mbledhur shumë para, me “Nude”, “Green Leaves” dhe “Bust”, duke vënë rekordin për kohën që janë shitur me 76 milionë euro në vitin 2010. Borchardt-Hume ka thënë se ka qenë e ditur në qarqet e Picassos se veprat prej atij viti ishin më të dëshiruarat nga tërë karriera e artistit. Ekspozita që do të hapet do të këtë një numër të pikturave dedikuar Walter, jo të gjitha prej tyre aq erotike sa “Le Reve”. Publiku do të ketë rastin të shohë edhe portrete realiste të Picassos ku ai paraqiti gruan e tij Olga Khakhlova, dhe djalin e tij 11-vjeçar, Paulo. Në kohë të tjera në vitin 1932 Picasso po krijonte vepra atmosferike surrealiste, vizatime të kryqëzimit dhe skulptura argëtuese, të cilat ai i krijoi në vilën e tij të re dhe pronën në fshat në Boisgeloup, 64 kilometra larg Parisit. Viti për të nisi në mënyrë shumë traumatike kur Walter u sëmur seriozisht teksa po notonte në lumin Marne, që e bëri Picasson të krijonte një skenë të shpëtimit.

Borchardt-Hume ka thënë se Picasso i ka përshkruar pikturat e tij si “vetëm një tjetër mënyrë e mbajtjes së ditarit”.

“Ekspozita do t’u bëjë ftesë shikuesve që të afrohen më shumë me artistin, mënyrën se si mendonte dhe punonte dhe turbulencat në jetën e tij personale në momentet shpërthyese të karrierës”, ka thënë Borchardt-Hume, tek ka shtuar se do të jetë ekspozitë që ndodh një herë në jetë dhe është mbështetur nga familja e Picassos.

“Duke shpalosur vepra të huazuara nga publiku dhe koleksionuesit privatë, në mënyrën se si janë bërë, kjo ekspozitë do t’i japë mundësi gjeneratës së re të zbulojë energjinë shpërthyese të Picassos, derisa ata që mendojnë se e njohin do të befasohen”, ka shtuar ai.