LSDM-ja i ka kthyer përgjigje BDI-së

LSDM-ja ia ka kthyer BDI-së vërejtjet që ka rreth mendimeve të integristëve për projekt/ligjin për gjuhën shqipe. Burime brenda negociatave, bëjnë të ditur se gjatë takimeve intensive të një ditë më parë, grupet e punës së dy partive kanë arritur të tejkalojnë dallimet më të mëdha rreth kërkesave të BDI-së për ligjin për gjuhën shqipe ndërsa kanë mbetur vetëm disa gjëra më të vogla pa u dakorduar.

Negociatorët e BDI-së nesër do të njoftojnë kreun e partisë Ali Ahmetin për rrjedhën e negociatave ndërsa pritet që gjatë ditës së hënë të mblidhet edhe kryesia qendrore për të shqyrtuar në detaje projekt ligjin për gjuhën shqipe.

Nga selia blu thonë se nuk lëshojnë pe nga propozimet e tyre për ligjin e ri për gjuhën. Siç mëson Alsat nëse palët tejkalojnë dallimet rreth gjuhës shqipe, BDI-ja mund ti jep Zaevit firmat e nevojshme për të marrë mandatin ndërsa më pas do të vijojnë negociatat edhe për kërkesat tjera të integristëve. Nga ana tjetër LSDM-ja është e mbyllur dhe nuk jep asnjë informacion për rrjedhën e negociatave me BDI-në, njofton Alsat.

Ditë më parë lideri i social-demokratëve tha se do të pranojë gjithçka që është në korniza të Kushtetutës së vendit dhe për të cilat kanë nevojë praktike qytetarët shqiptarë. Ndërkohë, që pas dështimit të Gruevskit për të formuar qeverinë, nga partia e tij vijojnë të kërkojnë zgjedhje të reja për çka numri më i madh i partive në vend dhe bashkësia ndërkombëtare janë shprehur kundër.