LSDM me kandidatë shqiptarë për zgjedhjet lokale, për partitë shqiptare ende herët (VIDEO)

Komisioni Shtetëror Zgjedhor pohoi se janë të gatshëm për organizimin e zgjedhjeve dhe se po presin dritën jeshile nga kryetari i parlamentit kurdo që ai do të zgjidhet, por a janë të gatshme partitë politike për të shkuar në zgjedhjet lokale?!

Lëvizja Besa është fokusuar në formimin e qeverisë dhe strukturimin e parlamentit. Zëdhënësi i Lëvizjes Besa Faton Fazliu thotë se do të dalin publikisht me qëndrim për zgjedhjet lokale, pasi që të formohet parlamenti.

“Aktualisht jemi të koncentruar në funksionalizmin e parlamentit sepse është parlamenti ai që i shpall zgjedhjet lokale. Përderisa është jo funksional parlamenti nuk mund të flasim për zgjedhjet lokale”, u shpreh Faton Fazliu, Zëdhënës i Lëvizja Besa.

Formimin e qeverisë dhe konstruktimin e parlamentit po e presin edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Kemi prioritete tjera më të rëndësishme dhe akute që po merremi për momentin. Nuk mund te themi asgjë për zgjedhjet lokale. Le të formohet qeveria dhe të bëhet strukturimi i parlamentit, e më pas do flasim për zgjedhjet lokale” tha deputeti Xhevat Ademi”, tha Xhevat Ademi, Deputet i BDI-së.

Edhe pse nuk tregoi emra, Deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri para 2 muajsh bëri me dije se nëpër komunat shqiptare, LSDM do të nxjerrë kandidat shqiptarë. Çairi, Haraçina, Studeninçani dhe Dibra janë komunat në të cilat deputeti Zekiri pretendon se do të ketë kandidat shqiptarë për kryetarë të Komunave.

“Ata shqiptarë që kanë votuar, askush nuk i ka detyruar me zorrë të votojnë. Ata e kanë parë se ku mund ta gjejnë veten dhe zgjedhjet e ardhshme lokale do të ketë kandidat shqiptarë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë. Dhe ata kandidat do t’i përfaqësojnë qytetarët e atyre komunave”, tha Muhamed Zekiri, Deputet i LSDM-së.

Mos konstituimi i kuvendit është i ndërlidhur me zgjedhjet lokale, thotë analisti Petar Arsovski. Sipas tij, nëse nuk zgjidhet kryetari i parlamentit deri më 15 mars, do të ketë përplasje të afateve të parapara me ligj.

“Edhe nëse formimi i qeverisë nuk është i ndërlidhur direkt me zgjedhjet lokale, konstruktimi i parlamentit është. Parlamenti duhet të konstruktohet që kryetari i parlamentit të mund ta shpallë zgjedhjet lokale. Kjo nëse nuk ndodhë deri në 15 mars do vijë deri tek përplasja e afateve pasi që zgjedhjet lokale janë shënuar në mënyrë eksplicite me ligj se kur do të mbahen”, u shpreh Arsovski.

Siç edhe është paraparë, zgjedhjet lokale kanë edhe një muaj kohë që të shpallen, ndërsa në pjesën e parë të muajit maj duhet që të mbahen. (TV21)