LSDM pranon platformën shqiptare (Video)

Në Maqedoninë që nuk po gjen dot ende zgjidhje pas zgjedhjeve të dhjetorit, duket se LSDM-ja e Zoran Zaev, është duke shkuar një hap më përpara në negociatat me BDI-në e Ali Ahmetit.

Burime zyrtare nga LSDM-ja thanë për Top Channel, se Bashkimit Demokratik për Integrim i është dorëzuar një dokument prej 72 faqesh, në të cilin pranohet e gjithë platforma e nënshkruar nga partitë politike shqiptare në Maqedoni.

Por Zaev nuk është mjaftuar vetëm me pranimin e të gjithë kushteve të partive shqiptare, por në dokument, është paraqitur dhe ligj i ri të detajuar për dygjuhësinë në të gjithë territorin e Maqedonisë.

Të njëjtat burime saktësojnë se dokumenti që i është dorëzuar Ahmetit, pritet që të konsultohet gjatë së martës mes BDI-Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA.

Ishte pikërisht dygjuhësia ajo e cila nuk u pranua nga partia e Nikola Gruevskit, kërkesë kjo e panegociueshme nga partitë shqiptare, që solli dhe mosarritje në një koalicioni me VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Tashmë edhe njëherë, topi është në fushën e partive shqiptare.