LSI pro shtyrjes së zgjedhjeve

Në takimin që është zhvilluar sonte mes opozitës dhe pozitës, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike, kanë përcjellë mesazhin se mbështesin paketën “McAllister” për të tejkaluar ngërçin.

Ndërsa partneri qeverisës, LSI është shprehur pro shtyrjes së zgjedhjeve për një datë të arsyeshme, 16 korriku, që paraqitet edhe në paketën e ofruar.

“Sa i takon LSI-së, ne jemi të palëkundur se paketa McAllister duhet të zbatohet pikë për pikë. Nuk është vonë për ta miratuar. Ajo është një bazë racionale që i jep zgjidhje krizës, krijon besim për zgjedhje të lira dhe është e mirë për të gjithë. Është jetik vlerësimi i kohës pasi çdo minutë e humbur është një minutë në dëm të vendit dhe jo vetëm paketa McAllister por gjithë situata politike duhet parë me përgjegjshmëri. Pasi përndryshe rrezikojmë të rrëshqasim në pasiguri. Paketa McAllister ka një datë shtyrjeje, 16 korrik, që nuk është ndonjë kohë e gjatë, por një limit i arsyeshëm në kohë që siguron një moment optimal për të zgjidhur pakënaqësitë e opozitës. Paketa amerikane ishte një paketë e integruar, kështu që besoj se s’ka më hapësirë për diskutime”, ka thënë kryetari I LSI-së, Petrit Vasili.