Luftërat në Siri dhe Irak: Përse çdo gjë që lexoni mund të jetë e gabuar

Padyshim që është tepër e rrezikshme për gazetarët të operojnë në zonat rebele të Alepos dhe Mosulit, por uria e madhe për lajme nga konfliktet në Lindjen e Mesme ka detyruar mediat ndërkombëtare t’i dorëzohen tundimit të marrjes së informacionit të dorës së dytë.
Ushtria irakene e mbështetur nga sulmet ajrore të SHBA po merr gradualisht kontrollin e Mosulit në Irak nga ISIS, në të njëjtën kohë që ushtria siriane dhe grupet paramilitare myslimane Shia po çajnë me luftë rrugën mes pjesës lindore të Alepos. Rreth 300 civilë llogaritet të jenë vrarë sulmet ajrore dhe të artilerisë muajin që shkoi, teksa shifra në Mosul besohet se arrin në 600. Por megjithë ngjashmëritë e konflikteve, raportimi i tyre nga mediat ndërkombëtare ka ndryshime radikale. Në Mosul, për humbjet e jetëve civile fajësohet ISIS, kurse ushtrisë irakene dhe aleatëve të tyre u lihet dorë e lirë. Kjo bie në kontrast të plotë për pasqyrimin nga mediat perëndimore të mizorisë së forcave të Assad në Alepo, teksa aktivitetit kriminal të rebelëve nuk u jepet asnjë mbulim. Kreu i çështjeve humanitare të OKB, Stephen O’Brien, tha kësaj jave se rebelët në Alepo, ashtu si ISIS në Mosul, nuk po lejojnë civilët të largohen nga zona e konfliktit. Ka një faktor ngjashmërie mes dy ofensivave, por të ndryshëm nga rrethime të kaluara në Lindjen e Mesme, siç mund të kenë qenë rrethimi i Beirutit nga Izraeli në 1982 apo i Rripit të Gazës në 2014, dhe ai qëndron në faktin se nuk ka asnjë gazetar të huaj të pavarur prezent, teksa dhe paraqitja e zhvillimeve kushtëzohet linja e përgjithshme gjeopolitike e grupeve mediatike.
Ka dy grupe që dominojnë opozicionin e armatosur në Siri, ndërsa në Alepo 20 për qind e 10,000 luftëtarëve i përkasin Frontit Nusra, të cilët bashkë me aleatët e grupit Ahrar al-Sham, janë në krye të rezistencës. Nuk është për t’u çuditur fakti që gazetarët e huaj raportojnë për ngjarjet në Alepo, nga Libani ose Turqia. Shumë prej tyre që guxuan të dëshmonin personalisht zhvillimet e gjetën veten në bagazhin e ndonjë makine militantësh ose të mbajtur peng në burgim.
Por çuditërisht mediat e mëdha kanë vazhduar t’i besojnë për lajmet e tyre deklaratave të kriminelëve dhe pengmarrësve, dhe shfajësohen duke thënë se burimet e tyre janë aktivistë të paanshëm. Të gjitha provat kanë treguar se grupet që veprojnë në lindje të Alepos përbëhen nga luftëtarë profesionistë që më parë militonin për grupe të Al Kaedës, ashtu siç mund të thuhet edhe për militantët e bastionit iraken të ISIS, Mosul.