Macron vlerëson pragmatizmin e Trumpit

 

Presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi homologun e tij amerikan Donald Trump si udhëheqës pragmatist, duke u shprehur se qëllimi i tij për përafrimin e qëndrimeve me liderët e tjerë, ishte edhe një nga sukseset e samitit të shtatë vendeve më të fuqishme të botës, që u mbyll sot në qytezën e Taorminës në ishullin e Sicilisë në Itali.

Në mbyllje të mbledhjes së G7-ës, Macron u shpreh se shpresonte që presidenti amerikan Trump t’i kuptojë pasojat negative me të cilat do të përballeshin vetë kompanitë amerikane, nëse administrata e tij do të tërhiqej nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

“Mendoj se do të ishte e gabuar”, deklaroi presidenti francez.

“Është e domosdoshme për emrin e Shteteve të Bashkuara dhe është në interes të vetë amerikanëve që SHBA-ja të vazhdojë të jetë e angazhuar ndaj marrëveshjes”, shtoi presidenti i sapozgjedhur francez.