Maqedoni – Shqipëri, ja kush ka më shumë fitore në përballjet direkte

Në Strumicë këtë të Martë, Maqedonia dhe Shqipëria do të sfidojnë njëra-tjetrën për herë të 10-të në histori, në sfidën më të rëndësishme mes tyre pasi në këtë duel luhet vendi i 3-të në grupin G, kualifikues të Botërorit, Rusi 2018.Nga 1994 e deri më sot në 9 përballjet e mëparshme bilanci flet në favor të maqedonasve por kuqezinjtë do të përpiqen të ndryshojnë këtë trend negativ dhe pas suksesit 2-1 në Loro Borici në sfidën e parë do të synojnë fitoren e 2-të rradhazi ndaj Maqedonisë për të përmirësuar edhe statistikat në përballjet direkte mes tyre. 9 ndeshjet e mëparshme kryeson Maqedonia me 4 fitore kundrejt dy të Shqipërisë ndërsa tre takime kanë përfunduar në barazim, megjithatë kuqezinjtë kanë fituar sfidën që ka patur më shumë vlerë pikërisht duelin e Shtatorit të kaluar në Shkodër, shkruan Supersport.

8 nga këto 9 ndeshje mes Maqedonisë kanë qenë miqësore me sfidën e parë që është zhvilluar në në 14 Maj të 1994-tës dhe që ka përfunduar me fitoren e thellë 5-1 të maqedonasve. Kjo ka qenë edhe humbja më e rëndë e Shqipërisë në përballjet mes tyre. Fitoren e parë kuqezinjtë e kanë regjistruar në një miqësore të vitit 1999 që përfundoi me suksesin 2-0, ndërsa të gjithë e mbajnë mend duelin e fundit në Maqedoni mes këtyre dy kombëtareve që u zhvillua në vitin 2011 në Prilep dhe që përfundoi në barazim pa gola. Në atë sfidë tifozët maqedonas ofenduan shqiptarët me koret e tyre raciste. Shpresojmë që të tilla ngjarje që kalojnë kufijtë sportiv dhe prishin bukurinë e futbollit të mos përsëriten në sfidën e kësaj të marte në Strumicë.