Maqedonia po plaket

Maqedonia në dekadat e fundit ka shënuar shpërngulje të madhe të popullatës jashtë shtetit, pastaj ulje të natalitetit dhe shtim negativ të popullatës në më shumë se gjysmën e komunave, shkruan gazeta “Koha” e Shkupit.
Të dhënat tregojnë se prej vitit 1995, kur në Maqedoni janë lindur 29.886 foshnje dhe në vitit 1996 kur janë lindur 28.946 foshnje, prej atëherë e këndej në vazhdimësi në vitet vijuese shënohet rënie e lindjeve, që në periudhën 2001-2015 lëviz nga 23 deri 24 mijë foshnje në vit. Në anën tjetër, Banka Botërore vlerëson se vetëm deri në vitin 2010, nga Maqedonia janë shpërngulur mbi 450 mijë njerëz.

Gjithashtu, edhe të dhënat zyrtare tregojnë ulje të shtimit natyror prej 3930 lindjesh në vitin 2013, në 3878 në 2014-ën dhe në 2614 lindje në vitin 2015.

Ekspertët thonë se Maqedonia i lejon vetes një luks tepër të madh me humbjen e kuadrove të ndryshme dhe duhet të ndërmerr masa, duke motivuar së paku një pjesë të njerëzve që janë këtu dhe që vlejnë që të mos ikin jashtë.

“Maqedonia po hyn në procesin e plakjes së thellë demografike. Nëse nuk ndërmerren masa për ndryshimin e situatës, do të vazhdohet me rritjen e strukturës së vjetër të popullatës. Gjithashtu, gjendja me shpërnguljen e popullatës së re vërehet në shtimin natyror të popullatës, që është negative në dhjetë vitet e fundit në 45 komuna të vendit”, thotë për KOHA, demografi Donço Gerasimovski.

Sipas tij, në rajonin e Pellagonisë gjysma e vendbanimeve kanë shtim negativ të popullatës, ndërsa situatë e ngjashme është edhe në rajonet lindore dhe juglindore, ku Dellçeva, Pehçeva, Berova dhe Makedonska Kamenica, gati se nuk kanë popullatë të re.

Viteve të fundit edhe Kërçova, Qendra Zhupë, Mavrovë Rostusha dhe Ohri ballafaqohen me probleme të tilla. Nga ana tjetër, analizat profesionale të plakjes demografike në Republikën e Maqedonisë tregojnë se në 25 vitet e kaluara janë ndryshuar më shumë parametra socio-ekonomik, si dhe dukshëm është ulur shkalla e fertilitetit.

“Në 20 vitet e kaluara është ulur për 5-6 herë numri i foshnjave në raport me vitin 1980. Është rritur mjaft edhe numri i divorceve, si dhe kemi edhe proces paralel të mërgimit në Evropën perëndimore, SHBA dhe Australi dhe shtetet e tjera të botës së zhvilluar. Ky migrim vjen si rezultat kryesisht i shkaqeve ekonomike, gjegjësisht shtetet ku migrojnë qytetarët e Maqedonisë kanë të ardhura shumë më të mëdha si dhe standard më të lartë jetësor në raport me Maqedoninë. Gjithashtu, mund të gjenden shkaqe për migrim edhe për arsye politike si dhe bashkim të familjes. Lindshmëria e ulët është e lidhur edhe të ardhurat e ulëta dhe papunësinë. Njerëzit në Maqedoni përjetuan dëme të mëdha përgjatë tranzicionit, me shkallë të lartë të papunësisë, paga të ulëta dhe korrupsion që në një masë të madhe kanë zvogëluar gjasat e tyre për një ardhmëri më të mirë dhe karrierë. Kjo kontribuoi për plakje demografike dhe shkallë të ulët të natalitetit në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në analizën e Plakjes demografike në Republikën e Maqedonisë, e realizuar nga më shumë autorë: Cane Koteski, Dusko Josheski, Zlatko Jakovlev, etj., nga Universiteti i Shtipit, e cila u publikua në vitin 2014.

Në anën tjetër, ekspertët thonë se Maqedonia i lejon vetes një luks tepër të madh me humbjen e kuadrove të ndryshme.

“Fakti se sa vjen e më shumë njerëz të rinj, të aftë dhe me perspektivë ikin jashtë për punë ose për përsosje profesionale, kjo është dëshpërues. Ekziston një matricë mendore, ‘të ikim prej këtu dhe të mos kthehemi’ që zgjat ka disa vite. Kjo vjen si rrjedhojë e lëshimeve në arsim, çmimit të ulët të pagesës së punës dhe ngjarjeve politike. Andaj, problem dhe sfidë kyçe në shtet është se si të gjendet mënyra të ngadalësohet dhe zbutet një trend i tillë. Nevojitet të motivohen ato njerëz që janë këtu dhe që vlejnë, për të mos ikur pasi ato janë ardhmëria e jonë”, thotë profesori universitar Ilija Açevski.

Ndryshe, sociologët thonë se jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë rajonin dhe në BE, kanë ndryshuar edhe botëkuptimet për jetën, familjen me shumë fëmijë dhe për vlerat e jetesës, ku njerëzit kanë pritje të tjera nga jetesa.

Nuk duhet harruar se edhe tranzicioni në një sistem kapitalist imponon dominimin e botës materiale, uljes së numrit të martesave dhe ndryshimit në strukturën e moshës së popullatës. Shënohen edhe raste të ikjes së përgjegjësisë për themelimin e familjes, të uljes së natalitetit që ndikohet nga abortet si dhe nga frika e përkeqësimit të kushteve të jetesës.