“Marie Kraja”, nis gara mes 15 konkurrentëve në TOB

 

Në Teatrin e Operës dhe Baletit mbrëmë 15 këngëtarët konkurrues të festivalit ndërkombëtar operistik “Marie Kraja” u ngjitën në skenë për të performuar vetëm përpara jurisë ndërkombëtare, të përbërë nga personalitet të shquar të operës botërore. Në këtë edicion të 16, interpretët u paraqitën me një repertor të përzgjedhur dhe më profesional ariesh, duke tentuar që me aftësitë e tyre vokale të lënë përshtypjet më të mira tek juria. Ndërsa në datat 4 dhe 5 nëntor në orën 19.00, festivali “Marie Kraja”, mirëpret në sallën e TOB publikun shqiptar. Në këto dy mbrëmje, në këtë festë të muzikës operistike botërore do të interpretohen ariet me të bukurat ato të cilësuara margaritarë të muzikës klasike dhe këngët më të bukura legjendë që do të ndërthuren në dy gara mes tyre, atë të arieve dhe atë të këngëve. “Sigurisht që në këto dy mbrëmje nuk do të mungojnë dhe elementët e spektaklit, që do t’i japin një energji më shumë këtij festivali. Në provat e paradites së sotme, kam dëgjuar zëra të mrekullueshëm që vërtet do të bëjnë për vete publikun”, shkruante në një postim të saj për festivalin Inva Mula drejtuese artistike.

Yjet e rinj të skenës operistike botërore, por dhe disa prej drejtuesve më të rëndësishëm të teatrove europianë do të takohen pikërisht në këtë festival. Të parët për t’u ngjitur në skenë dhe për të performuar me vokalet brilante, ndërsa të dytë për t’i dhënë një shans të jashtëzakonshëm në karrierë. Një ndër surpriza e këtij edicioni është dhe ngjitja në skenë e sopranos së re Enkeleda Kamani, fituese e edicionit të kaluar të “Maria Kraja” dhe që këtë vit do të mbajë një peshë të rëndësishme atë të prezantueses së këtij eventi. 15 konkurrentët e edicioni “Maria Kraja” 2016 janë: Lamia Beuque- Francë, Rachele Raggiotti- Itali, Maja Ceglar- Slloveni, Nora Carrasco- Spanjë, Krsko Roman- Sllovaki, Renisa Lacka- Shqipëri, Perrine Madoeuf- Francë,  Stefano Sorrentino- Itali, Yury Rostotsky- Rusi, Funda Yaziksiz- Turqi, Maria Eleni Striftompola- Greqi, Ilona Mataradze- Gjerogji, Cecile Achille- Francë, Andrew Kymach- Ukrainë, Klodian Kaçani- Shqipëri. Një repertori i zgjedhur me kujdes nga mjeshtri Robert Radoja. Këto dy kompeticione, do të shoqërohen live nga Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Edhe në këtë edicionin të 16-të festivali vjen me regji nga Pali Kuke, Bashkim Zahaj për skenografinë, dhe për të disatin vit me radhë me drejtimin e dirigjentit italian Leonadro Quadrini.