“Masakra e Reçakut-krim kundër njerëzimit”, dëshmi për sakrificën e popullit të Kosovës

Letërsisë shqiptare nga sot i është shtuar edhe monografia “Masakra e Reçakut – krim kundër njerëzimit”, nga një grup autorësh, i cili është cilësuar si një testament i shkruar me qëllim të zbardhjes së krimeve që ka bërë Serbia ndaj popullit të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit për Hulumtime të Krimeve të Luftës, Ismet Salihu tha se në këtë libër mbeten në kujtesë krimet e kryera nga okupatori serb.

Salihu: Dëshmi për sakrificën e popullit të Kosovës

Video

“Ky libër që po e promovojmë sot dhe librat tjerë të botuar nga Instituti për Hulumtime të krimeve të luftës kanë rëndësi të madhe, ngase gjeneratës së tashme dhe gjeneratave të ardhshme, si dhe opinionit ndërkombëtar u bëhet e ditur çfarë sakrificash të shumta dhe sublime janë bërë për çlirimin e Kosovës. Me këtë libër dhe me librat tjerë ruhet edhe kujtesa për krimet e kryera nga okupatori serb dhe shërbejnë si motiv dhe ideal që të çmohet dhe të ruhet liria dhe pavarësia e Kosovës”, tha Salihu.

Salihu tha kjo monografi është shkruar nga disa autorë të cilët kanë qenë edhe ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo tregon për autenticitetin monografik të këtij libri.

Ai ka folur edhe për vështirësitë që po ballafaqohet Instituti për Hulumtime për krime të luftës dhe ka kërkuar urgjentisht nga ministri i Drejtësisë që të angazhohen në zgjidhjen e statusit juridik të këtij instituti, me qëllim që të bëhen më shumë hulumtime për krimet që janë bërë ndaj popullit të Kosovës nga Serbia.

Ndërsa, drejtori i Radio Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi tha se ky libër është testament i shkruar me qëllim të zbardhjes së asaj se çfarë ka bërë okupatori serb ndaj popullit të Kosovës.

Qeriqi tha se ky libër është shkruar me shumë vërtetësi dhe korrektësi për të gjitha zhvillimet e kohës që lidhen me masakrën më mizore që ka bërë regjimi serb.

Qeriqi: Libri është testament i shkruar

Video

“Libri për Reçakun është një lloj testamenti i shkruar me qëllim të zbardhjes të së vërtetës dhe mos harrimit të kësaj dhe shumë masakrave tjera që ka kryer regjimi serb në Kosovë por edhe me qëllim që e vërteta e dokumentuar të mbetet në kujtesën e njerëzve, në sirtarët e institucioneve, në arkiva e biblioteka për të iu lënë trashëgim brezave rrëfime të dhimbshme dhe krenare të luftës dhe sakrificave për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Lënda e librit është bërë nga dëshmitë e dorës së parë, rrëfime të atyre që kanë arritur të shpëtojnë nga vdekja, fotot e të masakruarve, raporti i hollësishëm i obduksionit të viktimave, informimi i opinionin nga reporterët e luftës, nga shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga zona operative e Neredimes, nga kryesuesi i misionit të verifikues të OSBE-së William Voker dhe nga një pjesë e shtypit vendor dhe të huaj. Është trajtuar me mjaft vër tetësi dhe korrektësi, paanësi dhe përgjegjësi nga shumica e atyre që e kanë trajtuar dhe analizuar këtë akt antinjerëzor të regjimit serb”, tha Qeriqi.

Bashkautori i librit, Ruzhdi Jashari tha se ky libër është dëshmi dhe provë për të ngritur padi ndaj Serbisë për krimet që ka bërë në Kosovë.

Ai po ashtu tha se me këtë libër po vendoset një gur i çmuar kundër harresës në historinë tonë të re.

Jashari: Libri është gur i çmuar kundër harresës

Video

“Me këtë përpjekje shkruesit e librit e vendosën një gur të çmuar kundër harresës në historinë tonë të re, pa pretenduan që u thanë të gjitha. Tashmë ky libër është një dëshmi e mirë dhe instrument i shkruar prove për padi kundër Serbisë për krimet e bëra në Kosovë ku në këtë drejtim ka vonesa të pa falshme”, tha Jashari.

Libri është botuar në gjuhën shqipe dhe angleze. “Masakra e Reçakut-krim kundër njerëzimit”, për herë të parë është botuar në vitin 2004, ndërsa tani është ribotuar me disa ndryshime./B.Ibishi/