Masat kundër terrorizmit. Mbyllet tuneli i Elbasanit. Kalimi nga Durrësi


Masat kundër terrorizmit. Mbyllet tuneli i Elbasanit. Kalimi nga Durrësi

Policia e Shtetit ka vijuar edhe sot me marrjen e masave ekstreme të sigurisë për ndeshjen Shqipëri-Izrael, që do të luhet në nesër “Elbasan Arena”.

Nga frika e akteve terroriste mësohet se është mbyllur edhe tuneli, ndërsa kalimi nga Elbasani drejt Tiranës bëhet vetëm duke i rënë nga aksi Peqin-Rrogozhinë-Kavajë-Durrës.

Sipas njoftimit të policisë, “më datat 11 dhe 12 Nëntor do të këtë kufizime të shpeshta të lëvizjes në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas për shkak të bllokimit të tunelit. Lëvizja për në Elbasan dhe anasjelltas gjatë këtyre dy ditëve të realizohet nga Durrësi”.

Ky devijim i lëvizjes pritet të sjellë jo pak kaos në qarkullimin e automjeteve. Shërbimi sekret izraelit dhe mbi 2 mijë forca policore shqiptare janë në “Elbasan Arena” për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme është vënë re një prani e madhe e forcave policore në Elbasan. Sipas burimeve nga policia janë rreth 2000 agjentë që do të sigurojnë zonën e stadiumit, por edhe hyrje dhe daljet e qytetit të Elbasanit.

Media të ndryshme raportojnë se ka një numër të madhe agjentësh civilë, të cilët janë pjesë e shërbimeve të sigurisë së Izraelit.

Policia e Shtetit ka publikuar një pjesë të masave të marra. Sipas njoftimit të Policisë, gjithë repartet elitë të forcave të rendit janë në terren. Mësohet se do të angazhohen reparti Special RENEA, FNSH-të, Drejtoria e Policisë Rrugore, Drejtoria e Antiterrorit, Forca e Posaçme Operacionale si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe.

“Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ndeshje ndërkombëtare, si dhe problematikat e evidentuara gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të mëparshme, strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar maksimalisht, ku është bërë një planifikim i plotë i masave për të garantuar rendin sigurinë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit. Për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv, do të angazhohen rreth 2.000 forca policore dhe konkretisht: Reparti Special RENEA, F.N.SH-të, Drejtoria e Policisë Rrugore, Drejtoria e Antiterrorit, Forca e Posaçme Operacionale si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe”,- njoftoi Policia e Shtetit.