Masat ndaj gripit, dezinfektim i vonuar i shkollave

Shumë shkolla fillore dhe të mesme në Shkup dhe rrethinë akoma nuk janë dezinfektuar pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve shëndetësore. Nëpër shkollat ku nuk është kryer dezinfektimi, mësimi zhvillohet me orar të shkurtuar. Prindërit shprehen të revoltuar. Ata thonë se shkollat janë të paorganizuara dhe se nuk ndihmohen nga Institucionet.

“Kjo është dashur të bëhet gjatë pushimit dimërore kur fëmijët e kanë pasur, është dashtë të bëhet në atë periudhë kohore , është me vonesë por ndoshta do ketë ndonjë efekt. Fëmijët po humbin, kanë pasur edhe disa orë tjera që i kanë humbur po shpresojmë të kompensohen”.

“Sot do të mbahen dy orë vetëm sepse bëhet dezinfektimi. Është vonë kjo gjë sepse kanë pasur pushim dhe atëherë është dashtë ta kryejnë dhe jo tani kur fëmijët kanë pushim”.

“Unë as që e dija se shkolla nuk është dezinfektuar deri më tani. Gjithçka varet nga organizimi i shkollës duhej të kryhet ashtu si ishte e paralajmëruar, të gjithë prindërit menduam se kjo gjë është kryer më”.

Nga Qendra për Shëndet Publik thonë Shkollat nuk kanë kërkuar me kohë dezinfektimin. Ndërsa shtojnë se kanë probleme edhe me mungesën e ekipeve për në terren.

Në gjithë shkollat që gravitojnë në territorin e Shkupit është kryer 80% e dezinfektimit. Dezinfektimi bëhet me kërkesë nga ana e shkollave. Ne çdo ditë punojmë, ekipet janë në terren dhe pavarësisht se ka filluar mësimi ne përsëri dezinfektojmë në orët e pasdites kur fëmijët nuk janë në shkollë. Dezinfektimi i parë nëpër çerdhe është kryer, tani ka ngelë edhe pak për dezinfektimin e dytë –deklaroi Nikolina Sokolovska, Qendra për Shëndet Publik Shkup.

Dezinfektimi nëpër të gjitha shkollat e Shkupit pritet të përfundojë deri të premten. Vendimi për dezinfektim në shkolla, çerdhe dhe spitale u mor nga Ministria e Shëndetësisë, si masë për  parandalimin e gripit dhe sëmundjeve tjera infektive./alsatm