Mbajtja e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë, me ligj të vjetër

Përfaqësuesit e partive politike, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thonë se ngecjet në procesin e reformave të parapara zgjedhore nuk paraqesin problem në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Partitë politike opozitare kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre, se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do ta nxirrnin, sipas tyre, vendin nga kriza politike, por së fundmi edhe partitë në pushtet nuk e kanë përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Kjo për shkak të mos përmbushjes së obligimeve posaçërisht ndërkombëtare në Kuvend.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se ligji ekzistues ka shërbyer për organizimin e zgjedhjeve qoftë parlamentare apo edhe lokale dhe si i tillë mund të vazhdojë të zbatohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së, nga radhët e PDK-së, tha për Radion Evropa e Lirë, se në radhë të parë vullneti politik është ai i cili mundëson zgjedhje demokratike dhe me standarde të larta.

Anëtari tjetër i KQZ-së, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se ligji ekzistues aktual ka bazë të mjaftueshme dhe të mirë për organizimin e drejt të zgjedhjeve. Ai tha se KQZ-ja ka përgjegjësi kushtetuese për organizimin e zgjedhjeve, qofshin ato të rregullta apo të parakohshme.

Presidenti Thaçi, vitin e kaluar formoi dy nëngrupe punuese, një për amandamentimin e Kushtetutës dhe një tjetër për reformën zgjedhore në të dyja nivelet, atë qendror dhe lokal. Ai ka kërkuar, siç ka thënë, ‘dekriminalizimin e skenës politike në vend’ përmes, siç ka deklaruar, ‘pamundësimit të të gjithë atyre që janë nën hetime të marrin poste publike ose të kandidojnë në zgjedhje’.

Gjatë nëntorit të vitit të kaluar, presidenti organizoi mbajtjen e dy takimeve me përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, por këto takime u bojkotuan nga tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.