Mbështetje Shkupit në NATO, Kodheli pret homologen maqedonase

Vizita e parë zyrtare e ministres së re të Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmila Shekerinska u realizua në Shqipëri e ftuar nga homologia e saj Mimi Kodheli.

Gjatë takimit kokë më kokë, por edhe me delegancionet respektive, ministrja Kodheli ka konfirmuar bashkëpunimin e ngushtë me ushtrinë maqedonase si dhe ka garantuar se Shqipëria inkurajon reformën dhe përpjekjet e qeverisë se re në Shkup për anëtarësimin në NATO.

“Ne vlerësojmë dhe nxisim në vazhdimësi përpjekjen dhe punën e Maqedonisë për reformat në fushën e mbrojtjes. Shqipëria, si një anëtare e NATO-s ndjek nga afër përpjekjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar aleancës. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Maqedoninë në rrugën e saj integruese drejt NATO-s”, tha Kodheli. Ndërsa ministrja maqedonase e Mbrojtjes, deklaroi se ka diskutuar me kolegen e një vendi mik si Shqipëria për rreziqet e përbashkëta që i kanosen të dy vendeve dhe reagimit të përbashkët.

“Kemi diskutuar çështje të rreziqeve të përbashkëta që kanë vendet tona, në luftën kundër fondamentalizimit dhe çështje të kërcënimit terrorist duke konfirmuar bashkëpunimin e mëtejshëm në çështje të tilla”, tha ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë Radmila Shekerinska.