Mbetet e paqartë pronësia e sistemit të përgjimit në DSK

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov refuzoi të përgjigjej në pyetjen e Alsat për atë se pohim i kujt është më saktë- i tij apo i kompanisë “Erikson” rreth pronësisë së sistemit për përgjim në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK). Çavkov para 4 ditëve tha se problemet për zbatimin e urdhrit gjyqësor të Prokurorisë Speciale për marrjen e provave nga policia sekrete rezultuan për shkak se sistemet e policisë sekrete janë në pronësi të operatorit e jo të MPB-së.

“Ai sistem nuk është pronë e MPB-së, e as e DSK-së, por përkundrazi është pronë e operatorit dhe vetëm person i autorizuar nga operatori mund të ketë qasje në këtë sistem që të mund në mënyrë të sigurt të nxirren të dhënat e nevojshme. Vetë vërtetuan se gjatë natës kanë dërguar letër deri tek operatori dhe kanë kërkuar që të marrin autorizim nga përfaqësuesit e tyre në Maqedoni”, deklaroi Mitko Çavkov ditë më parë.

“Erikson” përmes njoftimit mohoi se posedon pajisje në DSK.

“Erikson nuk është pronar i pajisjeve, e as që operon me pajisjet për përgjim ligjor të komunikimeve”, thuhet në njoftimin “Erikson”.

Ish kryeministri, Nikolla Gruevski refuzoi të përgjigjet për ndodhitë e ditëve të fundit mes Prokurorisë Speciale dhe DSK-së.

“Do të deklarohem pas ngjarjes”, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.
Prokuroria Speciale e pret ekspertin nga kompania “Erikson”, por nuk saktëson se kur do të vijë ai për t’u kompletuar urdhri gjyqësor për marrjen e provave nga policia sekrete. Ekipi i Janevës informoi se deri më tani i kanë siguruar masat e posaçme hetimore dhe të dhënat e kërkuara kompjuterike nga sistemi për ndjekjen e komunikimeve. Mbetet që Prokuroria Speciale të siguroj të dhëna plotësuese me ardhjen e ekspertit nga Suedia. Ndryshe, gjatë fundjavës ekipi i Janevës nuk kishte hetues në DSK i cili do të kujdesej që të mos bëhen keqpërdorime në sistemin e përgjimeve. Në orët e vona të së premtes ai u dëbua nga hapësirat e DSK-së. Përgjegjësinë për sigurimin e DSK-së e mori ministri i brendshëm, Oliver Spasovski. Ai siguroj Prokurorinë Speciale se nuk janë të mundshme keqpërdorimet.

Bojan Stojanovski