Mbi 21 për qind e popullsisë në Maqedoni jeton në pragun e varfërisë

Vitin e kaluar në Maqedoni nën pragun e varfërisë kanë jetuar 445,200 qytetarë, ose 21.5 për qind e popullsisë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë thuhet se varfëria ka rënë në krahasim me vitet e mëparshme, por edhe më tej numri i qytetarëve që jetojnë në varfëri është i madh.

“Para nuk ka. Nëse shikojmë në tërë shtetin nuk ka para. Njerëzit ankohen se nuk ka para, se pagat nuk na dalin. Ndoshta dikush ka, por ajo është individualisht, varet se ku punon, por situata e përgjithshme nuk është e mirë “.

“Çfarë para? Para vetëm në bankë”.

“Dobët. Tregtia shkon dobët. Varet nga njerëzit, sa kanë aq blejnë, nuk është si më parë,
është më dobët, kush sa ka”.

“Kanë, kanë, edhe atë shumë bile, vetëm se shtiren se nuk kanë”.

Analiza e të dhënave tregon se varfëria ulet te familjet pa fëmijë. Por shqetëson fakti se varfëria rritet në mesin e familjeve me fëmijë, dhe kjo është e theksuar sidomos në familjet me shumë fëmijë, ku shkalla e varfërisë është vazhdimisht në rritje. Pikërisht te familjet që kanë tre ose më shumë fëmijë varfëria është 52.2 për qind. Te familjet me dy të rritur dhe një fëmijë varfëria është 20.9 për qind, dhe te familjet me një prind me fëmijë, shkalla e varfërisë është 26.1 për qind. Në të gjitha këto familje, vitin e kaluar është regjistruar rritje e varfërisë. Varfëria ka rënë vetëm në mesin e familjeve që kanë dy të rritur dhe dy fëmijë.

“Njerëzit tani shikojnë se çfarë do të ndodhë me qeverinë e re, me ekonominë. A do të ketë para apo jo. Populli sytë i ka drejtuar nga shtetit. Ne presim që të bëhet më mirë për të gjithë. Aktualisht është vështirë”.

Problem mbetet shpërndarja e pabarabartë e pasurisë në mes të pasurve dhe të varfërve, për të cilat edhe pse statistika shënon një rënie, megjithatë bëhet fjalë për një pabarazi të lartë në shpërndarjen e të ardhurave dhe humbjen e klasës së mesme.

Natasha Stojanovska