Mbi 3 mijë persona sot në protestë kundër importit të plehrave, ja itinerari i tubimit para Kryeministrisë, bllokim të bulevardit me kosha mbeturinash

Afër 3 mijë qytetarë pritet të jenë sot pjesë e protestës kundër ligjit të importit të plehrave, protestë e thirrur nga Shoqëria Civile dhe Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP). Ashtu si në vitin 2013, edhe këtë herë Shoqëria Civile është në ballë për të anuluar ligjin që lejon importin e plehrave nga jashtë, ligj i miratuar javën e kaluar në Parlament. Sipas organizatorëve pritet që numri i qytetarëve që do të jenë pjesë e protestës të shkojë deri në 3 mijë veta, një numër i konsiderueshëm më i madh në krahasim me protestën e zhvilluar pak ditë më parë. Protestuesit fillimisht do të mblidhen sot rreth orës 11:00 pranë Monumentit të Pavarësisë, në Parkun Rinia, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë. Përballë zyrës së kryeministrit Edi Rama parashikohen të jenë mijëra qytetarë që do t’i kërkojnë llogari përse i tradhtoi duke miratuar ligjin që kishte hequr vetë në vitin 2013. “Deri tani të paktën online kanë konfirmuar pjesëmarrjen mbi 2 mijë persona, ndërsa në shesh ne presim që numri të shkojë 3 mijë”, thotë Lavdosh Ferruni. Drejtuesit e protestës kanë qenë disi të rezervuar në lidhje me organizimin dhe itinerarin që ajo do të ndjekë. Po ashtu mësohet se ata nuk do të pranojnë që pjesë e protestës të bëhen eksponentë politikë. Gazeta “Sot” ka mësuar se një skenar i mundshëm i protestës së sotme është edhe bllokimi i bulevardit me kosha plehrash. Gjithashtu, këta kosha pritet që të vendosen edhe përpallë godinës së Kryeministrisë, ku pritet që drejtuesit e AKIP, përfaqësues të Shoqërisë Civile etje, të mbajnë fjalime dhe t’i kërkojnë përgjigje kryeministrit Edi Rama se përse ka ndërruar mendim dhe i ka tradhtuar duke miratuar në Parlament ligjin që i hap rrugën lejimit të importit të plehrave nga jashtë. Mësohet se koshat e plehrave që do të mbahen nga protestuesit,  do të vendosen përpara Kryeministrisë dhe do të kenë të shkruar emrat e deputetëve që votuan në Parlament ligjin që lejon importin e plehrave. Po ashtu, mësohet se protestuesit në shenjë simbolike do të mbajnë edhe thasë me plehra. Ndërkohë, paralelisht me protestën e organizuar nga aktivistët e AKIP në Tiranë, qytetarë të ndryshëm po organizojnë protesta në qytetet e tjera të vendit, në Vlorë, Fier, Elbasan, Korçë, etj. Ndërsa komunitetet e emigrantëve shqiptarë nëpër botë kanë njoftuar organizime protestash para ambasadave të Shqipërisë në Londër e Berlin.

Qëllimi i protestës

Teksa u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së sot, përfaqësuesit e AKIP kanë nxjerrë edhe një herë në pah qëllimin e saj. Sipas Kozara Katit, është shqetësimi i përbashkët për të mirën e mjedisit në Shqipëri që duhet të bindë çdo qytetar të përgjegjshëm për të dalë në protestë sot. “Qëllimi i kësaj proteste do të jetë gjendja e rëndë në të cilën ndodhet shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria dhe njëkohësisht do të kundërshtojmë ligjin për importin e mbetjeve nga jashtë. Kjo protestë do të jetë e hapur për të gjithë ata qytetarë që ndiejnë shqetësimin e situatës së rëndë ekologjike të vendit tonë. AKIP i ka bërë thirrje Presidentit për të mos dekretuar ligjin për importin e mbetjeve në mënyrë që ligji të kthehet përsëri në Kuvend për ridiskutim. Protesta është e hapur për të gjithë ata njerëz që e dinë të drejtën e fjalës, të drejtën e shprehjes. Kjo është një betejë në mbrojtje të jetës për të cilën duhet të luftojmë të gjithë”, deklaroi Kozara Kati dje.[tonjoo_spb]