Mblidhen partnerët e koalicionit, Zaev do kompletimin e Qeverisë

Partnerët e koalicionit LSDM, BDI dhe ASH sonte do të mblidhen në Qeveri për të diskutuar lidhur me kompletimin e Qeverisë, pas vendeve vakante të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë për investime dhe postit të zv/ministrit të Arsimit.

Kryeministri Zoran Zaev nga Prishtina bëri të ditur se do të takojë partnerët e koalicionit për ti dhënë fund kësaj çështje, por duke thënë se shpreson në finalizim.

“Sonte pas kthimit nga Prishtina në Shkup, kam takim me partnerët e koalicionit, shpresoj që do jetë takimi i fundit që të mund të bëjmë publike emrat dhe propozimet për ministrat e ri në kabinetin qeveritarë që më pas t’i propozojmë të njejtët Parlamentit për votim”, theksoi kryeministri Zaev.

Por nga ana tjetër, kryetari i ASH-së, Ziadin Sela po vazhdon qëndrimin në SHBA, ndërsa mësohet se në vend të tij do të jetë sekretari i përgjithshëm Arben Taravari. Ende mbetet e hapur çështja e plotësimit të vendit të ministrit të shëndetësisë, që më parë i takoi ASH-së dhe që tanimë pretenton LSDM. Zërat e fundit që kanë qarkulluar janë se do të shqyrtohet edhe pozicioni i RDK-së në Qeveri që ka një resor ministror, por edhe çështje të tjera për zgjerimin e koalicionit me deputetë të opozitës së deritanishme nga koalicioni me VMRO-DPMNE. (INA)