Mbyllet “Eco Guerilla”, distancohen themeluesit ?

Lëvizja qytetare Ecoguerilla lindi në vitin 2013 si një reagim kundër ndotjes kancerogjene në Tetovë dhe më gjerë, duke mëtuar të organizojë një presion ndaj institucioneve të shtetit për respektimin e të drejtës kushtetuese dhe universale të qytetarit për një ambient të pastër. Ky grup joformal i aktivistëve vinin nga profesione të ndryshme, por që i bashkonte ky qëllim human dhe fisnik. Qasja jonë ishte të mbahen dyert e hapura për çdonjërin që i beson kësaj kauze dhe për çdonjërin që është i gatshëm vetëm të japë për këtë qëllim, e jo të përfitojë. Parimet bazë mbi të cilat u zhvillua kjo iniciativë ishin distancë zero ndaj partive politike dhe presion i vazhdueshëm ndaj institucioneve kompetente. Kur partitë politike na ftonin në debate për ambientin, përgjigjja jonë ishte simbolike – vijmë nëse debati organizohet para Jugohromit si ndotës kryesor. Kur partitë politike na ftonin në protestat tjera, ne refuzonim të marrim pjesë shkaku parimeve mbi të cilat u ngrit Ecoguerilla.Fatkeqësisht, kohëve të fundit në opinion dolën informacione për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lëvizjes në evenimente të një partie politike, gjë që doli mbi këto parime bazë. Për dallim nga më parë kur gjithçka ishte transparente, në gjashtë muajt e fundit vendimet merren brenda një grupi të ngushtë njerëzish, dy-tre persona, të cilët u pranuan në këtë lëvizje duke shpresuar se do të respektojnë parimet që ishin garanci për mosnjollosen e iniciativës me ngjyra partiake, duke siguruar kështu jetëgjatësinë e saj. Në këtë periudhë nuk është organizuar asnjë mbledhje, edhe perskaj kërkesave të themeluesve.

Andaj, ne si nismëtarë dhe themelues distancohemi nga veprimet dhe vendimet e lëvizjes të marra në periudhën e fundit, sidomos nga pjesëmarrja në evenimente partiake. Ne garantojmë se ideja dhe iniciativa për një ambient të pastër do të vazhdojë më tutje, si një kauzë apartiake dhe pa prapavijë përfituese.

Me respekt,

Nismëtarët dhe themeluesit e Ecoguerilles

Xhelal Neziri, Selim Ibraimi, Bardhyl Zaimi, Urim Hasipi, Rami Mislimi