Më shumë shërbime, çelet Konsullata Shqipëri-Kosovë në Mynih

Në Mynih të Gjermanisë është hapur konsullata e përbashkët Shqipër-Kosovë. Në ceremoni morën pjesë  Ministri i Jashtëm Shqipërisë, Ditmir Bushati, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, Ministrja Bavareze për Çështjet Evropiane znj. Beate Merk etij.

Në fjalën e tyre, Ministrat Bushati dhe Hoxhaj nënvizuan se: “Konsullata përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik që kemi mes dy vendeve dhe është një tregues i qartë i punës dhe vullnetit tonë për të qenë sa më pranë bashkëkombësve, duke iu ofruar atyre shërbime sa më cilësore dhe transparente”.

Në njoftimin e zyrës së shtypit të ministrisë së Jashtme thuhet se Konsullata e përbashkët në Mynih do të mundësojë ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në një ambient modern dhe në një kohë më të shkurtër, duke rritur cilësinë e shërbimit të ofruar.

Kjo Konsullatë do të mbulojë landet e Bavarisë (Bayern), Baden-Württemberg, Rheinland-Pfalz dhe Saarland. Mbi 30% e qytetarëve të të dyja shteteve që jetojnë në Gjermani do të mund të përfitojnë shërbimet dhe asistencën e kësaj konsullate. Përveç kësaj, hapja e Konsullatës së Përgjithshme do të ndikojë edhe në intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale, politike, diplomatike, ekonomike e kulturore me landet të cilat janë në rrethin e juridiksionit e saj.

Ky përfaqësim i përbashkët përbën një formë moderne të asistencës së ndërsjellë për qytetarët tanë jashtë vendit, njëkohësisht, është shprehje e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona me Gjermaninë, mikpritëse e komuniteteve të mëdha të emigranteve nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës.