Me sistemin e ri, Turqia nuk do të ketë më kryeministër

Një zyrtar i lartë turk ka thënë se Turqia nuk do të ketë më kryeministër në bazë të reformave kushtetuese që qeveria po kërkon t’i fusë në sistem presidencial.

Ministri i Pylltarisë dhe Ujit, Vetsel Eroglu, ka thënë sot për agjencinë shtetërore të lajmeve, Anadolu, se një apo më shumë zëvendës-presidentë do ta zëvendësojnë postin e kryeministrit në sistemin e propozuar, transmeton Express.

Eroglu ka shtuar se legjislativi dhe ekzekutivi në vend do të mbesin të ndara.

Presidenti Erdogan ka kohë që kërkon që vendi ta ketë një sistem presidencial, në mënyrë që presidenca kryesisht ceremoniale e vendit të ketë pushtete ekzekutive.

Deri së fundmi, partitë opozitare e kanë kundërshtuar sistemin presidencial, duke u druajtur se një sistem i tillë do ta lejonte Erdoganin të sundonte i pakontrolluar./Express/