Media greke: Rama beson se e gjithë bota rrotullohet rreth tij

Gazeta e madhe greke, Kathimerini, i kushton një editorial zhvillimeve të fundit në marrëshëniet e Greqisë me Shqipërinë.

Në shkrimin e titulluar “Sindroma shqiptare”, gazetari Stavros Tzimas, evokon sundimin gjysmëshekullor komunist, kur diktatori Enver Hoxha kultivoi psikologjinë e të jetuarit në rrethim, për të mbajtur të izoluar popullin e vet. “Këtë sindromë, në një version post-modern e servir tani zoti Rama”, vëren autori.

“Është tragjike, mirëpo përmes arrogancës së vet kryeministri shqiptar nuk ngurron të provokojë, duke besuar se e gjithë bota rrotullohet rreth tij dhe se europianët e presin me krahët hapur dhe me një tapet të kuq në Bruksel”, nënvizon Tzimas.

Analisti Stavros Tzimas, një njohës i mirë i çështjeve të rajonit, thekson qysh në krye të shkrimit se, “sa herë që u tentua një hap për t’u shkrirë akujt në marrëdhëniet greko-shqiptare, ka ardhur një “silurë” që i ka hedhur në erë këto përpjekje”.

Ekziston një substrat i fuqishëm, që grumbullon vazhdimisht re në qiell: Greqia dhe Shqipëria mbeten pengje të historisë”, vazhdon Tzimas, duke shtuar se “Shqiptarët jetojnë me dyshimin se grekët po punojnë që t’ua copëtojnë vendin e tyre me pretekst çështjen e Voriepirit”.

Nuk di vende të tjera në rajon, të cilat t’i lidhin kaq shumë gjëra dhe marrëdhëniet e tyre të jenë kaq të këqija…

Çfarë e ka fajin?”, pyet autori, raporton Respublica.

Dhe e jep përgjigjen, duke i evidentuar përgjegjësit tek të dy palët.

Sipas tij:

Elita politike në Shqipëri i ka përzier marrëdhëniet greko-shqiptare në polemikat partiake dhe zgjedhore, duke synuar që përmes retorikës antigreke të ketë përfitime në kutinë e votimit.

Nga ana tjetër, disa minoritarë grekë në Shqipëri, ashtu si dhe disa qarqe këtu në Athinë, refuzojnë të pajtohen me idenë se minoriteti jeton në Shqipëri dhe ka obligimin t’u bindet ligjeve dhe rregullave të një shoqërie të koordinuar”, vëren analisti grek.