Mediat serbe: Ja çka do të ndodh përfundimisht me Haradinajn

Ramush Haradinaj, sipas Beogradit, nuk mund t’i përcillet Gjykatës Speciale për Krimet e UÇK-së në Hagë. Ai ose do të ekstradohet në Serbi, ose lirohet.
Mediet serbe shkruajnë se Gjykata Speciale nuk ka njësi paraburgimi, e në anën tjetër ende nuk dihet nëse ai ndodhet në listën e të dyshuarve në kompetencë të kësaj gjykate.

Siç shkruan sot “Novosti” i Beogradit, kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt ende nuk ka mbërri në Gjykatën e Apelit në qytetin francez, Colmar.

“E dimë se kërkesa ka mbërri në Ministrinë e Jashtme, por ende nuk ka ardhur te ne, prandaj nuk e di kur do të deklarohemi për këtë rast”, citon kjo gazetë burime të Gjykatës së Apelit, e cila thekson se ka marrë vetëm kërkesën e dërguar me rrugë elektronike nga Ministria e Drejtësisë të Serbisë, transmeton koha.net

Haradinaj i ka thënë Deutsche Welles se beson që nuk do t’i dorëzohet as Serbisë, as Hagës.

Ai është arrestuar më 4 janar në aeroportin e Bazelit, në lindje të Francës, sipas një fletarresti nga Serbia të vitit 2004 për krime që i referohen vitit 1999, të cilat sipas Beogradit nuk kanë qenë të përfshira në aktakuzën e Tribunalit të Hagës, e cila është marrë me vitin 1998, ku Haradinaj është liruar i pafajshëm.