Merita Mustafai: BDI garon me vizion bashkëkohor, vizion që mund të realizojë idealet e shumë gjeneratave

Në prezantimin e kandidatëve për deputet të BDI-dega e Tetovës, kandidatja për deputet znj.Merita Mustafai prezantoi me fjalimin e saj.

I nderuar kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, z.Ali Ahmeti, të nderuar qytetarë, miq, dashamirë të BDI-së!
Angazhimi im dhe i juaj në BDI, sigurisht nuk është i rastësishëm, por është rezultat i platformës së qartë politike, e cila në vete ngërthen të gjitha kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve të Maqedonisë, që u kanë munguar me dekada. Të arriturat e gjertanishme, janë motiv dhe forcë që na inkurajojnë, që edhe më të konsoliduar të vazhdojmë në këtë rrugë. Pjekuria politike e kryetarit tonë, në vendimmarrje dhe realizim të detyrave, gjatë gjithë kësaj periudhe, është edhe garanca më e fortë, se ne, si në të gjitha zgjedhjet, edhe në këto do të dalim fitimtarë.
Jam e nderuar që më është dhënë besimi, të jem kandidat për deputet e BDI-së, në këto zgjedhje mjaft të rëndësishme. E di se nuk është punë e lehtë, për një femër të merret me politikë, nuk është e lehtë të realizosh programin dhe platformën e BDi-së për 4 vitet e ardhshme, të përfaqësosh me dinjitet: nënën, bashkëshorten dhe në përgjithësi femrën shqiptare të Maqedonisë. Veçanërisht në kohën kur partitë oponentë, në mungesë të platformës se tyre politike, merren me shpifje të nivelit më të ulet. Megjithatë, unë dhe koleget e mia kandidate, jemi të vendosura që me përkushtimin më të madh, ti tejkalojmë të gjitha pengesat dhe denjësisht të përfaqësojmë interesat e qytetareve shqiptare në Parlamentin e Maqedonisë.
Ashtu si çdoherë edhe në këto zgjedhje, BDI garon me vizion bashkëkohor, vizion që mund të realizojë idealet e shumë gjeneratave, duke filluar prej atyre që u dergjën nëpër burgje, atyre që flijuan më të shtrenjtën e vet – jetën, deri te ne, të cilët shfrytëzojmë ato rezultate dhe trasojmë rrugët e reja, për ata që do vijnë pas nesh. Përpjekjet e vazhdueshme dhe të arriturat tona në sferën e arsimit, shkencës, kulturës, shëndetësisë, shoqërisë civile, inovacioneve, ngritjen e standardit të studentëve, si dhe reformat në çdo sferë të jetës, kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së jetës, të shoqërisë shqiptare në Maqedoni.
Ne në BDI, rëndësi të veçantë i kushtojmë, krijimit të resurseve të reja njerëzore, për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe afatgjatë, nëpërmjet një arsimi sa më cilësor, dijes, shkencës, inovacioneve, që të aftësojë gjeneratën e re, që me kualitetet e tyre, tu përgjigjen të gjitha nevojave që kërkon tregu i punës.
Unë si inxhiniere e komunikacionit, nuk mund të mos përmendi rëndësinë e veçantë të transportit dhe infrastrukturës në jetën e përditshme të njeriut, e cila përveç rëndësisë ekonomike, zvogëlimit të harxhimeve për transport të mallrave, ndikon edhe i lidh qytetet me qytete, krahinat me krahina, shtete me shtete, popuj me popuj, kultura me kultura.
Investimet në sferën e transportit, mundësojnë lëvizje më të sigurt për banorët, zvogëlim të aksidenteve dhe të ndotjes së ajrit. Për këto arsye, në Parlamentin e ardhshëm rëndësi të veçantë do ti kushtoj edhe kësaj sfere të programit të BDI që sa më shpejt të përfundojnë projektet e nisura si për shembull korridori 8, linja hekurudhore Shkup – Elbasan, përfundimi i autostradës Shkup- Prishtinë, si dhe të vazhdojnë dhe të përfundojnë projektet për Rrugën e Arbrit, Tetovë-Prizren edhe linjën turistike të transportit liqenor Pogradec-Ohër. Projekte të cilat përveçse do të ndikojnë në ato qe përmenda më lartë, do të ndikonin shumë edhe në zhvillimin e turizmit. Prej këtyre që thash dhe do të thonë koleget e mi, e shihni që na pret një angazhim dhe punë e madhe në 4 vitet e ardhshme. Të sigurt në mbështetjen tuaj dhe të partisë, besoj se do ti kalojmë edhe këto sfida dhe kur te paraqitemi në raportin tonë për punët e kryera pas 4 viteve do ta shihni se e kemi justifikuar votën tuaj.
Faleminderit dhe mirë mbetshi!