Mesiq jep dorëheqje për deklaratat nga vitet 1990 e 1992

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq ka dhënë sot dorëheqje nga posti i kryetarit të nderit të Lidhjes së Luftëtarëve Antifashistë dhe Antifashistëve të Kroacisë me arsyetimin se kështu dëshiron ta kursejë këtë organizatë nga pasojat negative, pas publikimit të xhirimeve me deklaratat e tij nga vitet 1990 dhe 1992, transmeton njoftimin Koha.net.

“Duke parë situatën e krijuar pas publikimit të xhirimeve me deklaratat e mia, po e përsërisë absolutisht të papranueshme nga viti 1992, si dhe ato të publikuara më vonë nga viti 1990, dhe duke pasur parasysh faktin se ka edhe xhirime të tjera të deklaratave të mia nga ajo periudhë po aq të papranueshme, me dëshirën që të kursej Lidhjen e Luftëtarëve Antifashistë dhe të Antifashistëve të Kroacisë (SABA) nga pasojat negative, jap dorëheqje nga funksioni i kryetarit të nderit”, thuhet në dorëheqjen e tij paraqitur kryetarit të kësaj organizate, Franjo Habulinit.

Ai ka deklaruar se kështu kishte folur gjatë një periudhe rreth tri vjetësh, meqë “ashtu ishin atëherë politikat e HDZ-së, e janë edhe sot”, por që gjatë njëzet vjetëve më pastaj, sidomos “gjatë kohës që kam ushtruar detyrën e presidentit të Republikës së Kroacisë, kam përfaqësuar pikëpamje diametralisht të kundërta”.

“Duke mos dashur të arsyetohem, marrë përsipër gjithë përgjegjësinë për atë që tash po e mohoj”, ka deklaruar ai, përcjell Koha.net.

Mesiq shton se besnikëria e tij “ndaj antifashizmit si vlerë dhe besnikëria në luftën kundër fashistizimit të Kroacisë me hapa galop në asnjë mënyrë, aq më pak publikimi i xhirimeve të vjetra një çerek shekulli, nuk do të më luhatin” është shprehur ai.