Mësuesja godet nxënësin në klasë, fëmijët e tjerë i publikojnë videon

Edhe një rast tjetër i dhunës fizike ndaj një nxënësi gjatë procesit mësimor është bërë publik në rrjetet sociale.

Në këtë video shihet se si mësuesja Rrahime Buçinca godet njëherë me libër, e pastaj edhe me duar, nxënësin e klasës së nëntë në shkollën fillore “Arif Shala”, në Korreticë të Drenasit, raporton KTV.

Familja e tij është shokuar pasi vetëm pas publikimit të videos është njohur me rastin.

Gjyshi i tij thotë se është e papranueshme dhuna ndaj nipit, meqë nuk kanë marrë asnjëherë ndonjë vërejtje për Argjendin.

Drejtori i shkollës shprehet i befasuar me rastin, pasi, sipas tij, mësuesja Buçinca gjithmonë ka qenë shembull në punën e saj. Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka marrë vendim për suspendim të përkohshëm të arsimtares Buçinca.

Rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, ka thënë se rasti është hapur menjëherë pas publikimit në media online dhe është në fazën fillestare të hetimeve.