Meta jep betimin si president i Shqipërisë

Presidenti i ri i Shqipërisë, Ilir Meta ka dhënë betimin në Parlamentin e Shqipërisë, duke u bërë presidenti i 7-ta i zgjedhur në sistemin demokratik të Shqipërisë.

Seanca e mbledhur para pak çastesh, është drejtuar nga Valentina Leskaj, e cila pas betimit e ftoi presidentin Meta që të mbajë fjalimin e rastit.

“Sot kam nderin t’ju përshëndes me ndjenjën më të lartë përkushtuese dhe do të dëshmoj solemnisht vullnetin tim të hekurt për të respektuar në germë dhe frymë Kushtetutën e Shqipërisë në interesat më të mira të vendit, kombit dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Meta.

Presidenti i sapo betuar tha se kushtetutshmëria dhe respektimi i shtetit të së drejtës do të jenë referenca kryesore në ushtrimin e detyrës për pesë vitet e ardhshme.

“Do t’i shërbej konsensusit, bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes dhe sidomos avancimit të reformave që e bëjnë vendin tonë më demokratik, më të begatë dhe më shumë evropian”, tha ai.

E mes këtyre reformave është edhe ajo në drejtësi, për të cilën Meta tha se në rolin e ri si President i vendit, do të kontribuojë në avancimin dhe zbatimin e plotë të saj.

Pas betimit në Kuvend, Ilir Meta iu drejtua Presidencës, ku zhvillohet ceremonia e dorëzimit të detyrës nga Presidenti Bujar Nishani tek pasardhësi i tij. Meta në Presidencë shoqërohet nga vajza e tij, Bora