Meteorologët parashikojnë të ftohtë ekstrem gjatë dhjetorit në SHBA

Bora e madhe dhe temperaturat e ftohta kanë pushtuar pjesë të Shteteve të Bashkuara, teksa qindra fluturime drejt dhe prej aeroporteve në Chicago u anuluan, pas një stuhie në rajonet Upper Midwest dhe Lower Great Lakes, që më pas ju drejtuar veri-lindjes së vendit.

Një paralajmërim për stuhi u vendos në Chicago përgjatë fundjavës, pasi bora arriti deri në 25 cm lartësi, siaps raportimeve të Shërbimit Kombëtar të Motit. Qytetarët u paralajmëruan për vështirësi në ngarjen e makinave rreth qytetit, ku bora filloi që të shtunën paradite.
33 cm borë u regjistruan në disa pjesë të Michigan-it dhe 22 cm në pjesë të Minnesota-s.

Në aeroportin ndërkombëtar O’Hare, të katërtin më të ngarkuar në botë, aerolinjat tashmë kanë reduktuar numrin e fluturimeve, ndërkohë që të tjera kanë pezulluar totalisht veprimtarinë e tyre. Në aeroportin e Detroit, një nga avionët pati një rrëshqitje nga pista, por fatmirësisht, pa asnjë lëndim sipas mediave lokale.

Me ndihmën e Arktikut, vorbullës polare dhe Siberisë, meteorologët kanë paralajmëruar se dhjetori do të jetë i karakterizuar nga i ftohti i ashpër për shumicën e Shteteve të Bashkuara. Temperaturat në rënie vijnë pas periudhës më të ngrohtë tetor-nëntor që pushtoi zonat u ulëta të vendit. Dhjetori i viteve të fundit nuk ka qenë tepër i ftohtë në SHBA, por dhjetori 2016 duket të jetë më ekstremi që prej dhjetorit 2013.