Mijëra njerëz i drejtohen Tiranës, proteste masive

Opozita nis sot një protestë që pritet të kulmojë me fjalime para kryeministrisë.
Ndërsa kohëzgjatja e saj nuk dihet ende, nga rrethet raportohet të jenë nisur rreth 7 mijë protestues që prej mëngjesit të sotëm, me autobusë dhe makina.

Kështu raportohet për 3 autobusë të nisur nga Gjirokastra me rreth 400 persona, po ashtu edhe nga Fieri janë nisur 25 autobusë me rreth 2500 persona. Drejt Tiranës raportohet të jenë nisur edhe 350 qytetarë të Sarandës, ndërsa nga Shkodra janë nisur një numër edhe më i madh, nga 4 deri në 5 mijë persona. Edhe nga Lezha parashikohet të nisen 12 autobusë, ndërsa deri më tani janë nisur 150 persona me automjetet e tyre. Edhe nga Berati janë nisur 6 autobusë dhe 50 makina. Drejt Tiranës raportohet të jenë nisur edhe 3 autobusë nga Kuçova.

BalkanWeb raporton se autobusët që do sjellin protestues do lejohen deri tek pallati i sportit “Asllan Rusi”, e më pas do parkohen në sheshin “Shqiponja” duke i lënë në këmbë protestuesit. Ndërsa në anën lindore të kryeqytetit, do të lejohen autobusët deri tek shkolla e gjuhëve të huaja në Rrugën e Elbasanit.

Policia ka marrë masa për të garantuar mbarëvajtjen e këtij tubimi, ndërsa një kordon me policë pritet të qëndrojnë para rrethimit të kryeministrisë.

Mësohet se do të ketë ruajtje të institucioneve, të ministrive dhe prani të policëve në gjithë bulevardin nga sheshi “Nënë Tereza” deri tek ai “Skënderbej”. Do të ketë edhe policë rrugorë të shtuar në disa akse për të normalizuar trafikun dhe për të ofruar siguri për këmbësorët.

Po ashtu raportohet se gjatë orëve të protestës janë parashikuar kufizime të qarkullimit në disa akse: kryqëzimi “Dëshmorët e Kombit” me “Zhan D’ark”, kryqëzimi “Dëshmorët e Kombit” me “bulevardin “Bajram Curri”. Po ashtu ndalohet parkimi nga “Myslym Shyri” te “Dëshmorët e kombit” ndalohet parkimi nga “Dëshmorët e kombit” tek Rruga “Ismail Qemali”.