Milaim Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani

920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. Aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune.Por, në vend të punësimit janë gjendur brenda një skeme mashtrimi.Gazetari Vehbi Kajtazi nga Insajderi ka publikuar këtë hulumtim, me të cilin thotë se u morr më shumë se dy muaj. Prokuroria ndërkohë ka nisur hetime. Zeka po hetohet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi. Partneri i tij ndodhet në paraburgim.Më 9 mars të vitit të kaluar, Milaim Zeka kishte prezantuar në emisionin e tij “Pa Rrotlla” një biznesmen shqiptar të suksesshëm dhe të pa korruptuar.Ilir Krasniqi, tregonte në emisionin e Zekës që transmetohej në RTK, se si një ministër kosovar i kishte kërkuar 3 milion euro ryshfet atij dhe partnerëve gjermanë, për një investim në KEK.Por, asnjëri nuk ia përmendin emrin për “çështje etike”.Me diksion krejtësisht të njëjtë, ata bisedonin për këtë investim të mbetur në tentativë si pasojë e një ministri të korruptuar.Kurrë nuk kanë treguar se kush ishte ky ministër. As nuk kishin shkuar në Polici për ta denoncuar.
Kjo intervistë në fakt kishte një qëllim tjetër: prezantimin e Krasniqit si biznesmen kredibil për t’i hapur rrugë një skeme mashtrimi që po përgatisnin ata dy. Po promovohej një mashtrues me të cilin Zeka kishte hyrë në ortakëri.Rreth një muaj para kësaj interviste, Zeka e Krasniqi kishin hapur një agjenci për punësimin e kosovarëve në Gjermani. Kompania ka funksionuar më shumë se një vit.Gjatë kësaj periudhe Milaim Zeka dhe Ilir Krasniqi me anë të kompanisë së tyre kanë mashtruar 920 kosovarë. Atyre u janë marrë nga shuma të ndryshme parash prej 50, deri në 3500 euro.