Militantët kurdë vrasin 10 ushtarë turq

Të paktën 10 ushtarë turq u vranë sot nga trazirat në juglindje të vendit, në dy incidente të ndara.

Autoritetet fajësuan Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), njoftoi agjencia turke e lajmeve “Dogan”.

Katër ushtarë u vranë dhe gjashtë anëtarë të forcave të sigurisë u plagosën nga një shpërthim bombe në anë të rrugës, në provincën Mardin.

Më vonë, gjashtë ushtarë u vrarë dhe një tjetër u plagos në përleshjet në provincën Sirnak, rreth 150 kilometra në lindje të vendit, transmeton atsh.

Kryetari i Idil, një distrikt në Sirnak nga një parti prokurde, u arrestua së fundmi, pas heqjes së më shumë se 24 kryetarë komunash, kryesisht kurde në juglindje, të cilët janë zëvendësuar nga të emëruarit besnikë të qeverisë në Ankara.

Bisedimet e armëpushimit mes PKK-së dhe qeverisë u ndërprenë vitin e kaluar.

Që atëherë, më shumë se 2 000 persona, duke përfshirë civilë, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe militantë kanë vdekur për shkak të dhunës.

Më shumë se 40 000 njerëz kanë vdekur në luftën 30-vjeçare mes palëve.